Goditet një grup kriminal në drejtim të tregtimit të lëndëve narkotike në Tiranë në sajë të operacionit të koduar “Çokollata”.
Policia ka arrestuar në flagrancë 3 shtetasit me iniciale E. K., 37 vjeç, M. L., 33 vjeç, dhe I. G., 57 vjeç, banues në Tiranë.
Tre të arrestuarit tregtonin lëndë narkotike të llojit “Cannabis Sativa”, të presuar në formë çokollate, në sasi të konsiderueshme.
Autoritetet kanë sekuestruar 111 kg lëndë narkotike e dyshuar “Cannabis Sativa”, në formën e çokollatës.
Njoftimi i policisë :
Finalizohet një tjetër operacion policor i koduar “Çokollata”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve.
Operacioni nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në bashkëpunim me Seksionin e Forcës së Posaçme Operacionale, në DVP Tiranë.
Goditet një grup kriminal në drejtim të tregtimit të lëndëve narkotike.
Arrestohen në flagrancë 3 shtetas dhe sekuestrohen 111 kg lëndë narkotike e dyshuar “Cannabis Sativa”, në formën e çokollatës.
Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në bashkëpunim me Seksionin e Forcës së Posaçme Operacionale, në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në bazë të informacioneve të siguruara nga burime të ndryshme dhe në kuadër të hetimit me metoda speciale, finalizoi me sukses operacionin e koduar “Çokollata”, në ngarkim të një grupi kriminal, në drejtim të tregtimit të lëndëve narkotike.
Si rezultat i operacionit në rrugën “Pavarësia” në Tiranë, u kapën dhe u arrestuan në flagrancë shtetasit:
E.K., 37 vjeç, banues në Tiranë
M.L., 33 vjeç, banues në Tiranë
I.G., 57 vjeç, banues në Tiranë
Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në DVP Tiranë, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative nga burime të ndryshme, dyshonte se shtetasi I. G., në bashkëpunim me shtetasit E. K., M. L. dhe persona të tjerë, tregtonin lëndë narkotike të llojit “Cannabis Sativa”, të presuar në formë çokollate, në sasi të konsiderueshme.
Pas një pune të mirëfilltë profesionale me metoda speciale të hetimit, Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, ka dokumentuar ligjërisht këtë veprimtari kriminale.
Mesditën e sotme shtetasi I. G., që drejtonte automjetin “Citroen”, bënte lëvizje të dyshimta në rrugën “Pavarësia”, duke shoqëruar automjetin tjetër “Mercedez – Benz”, me drejtues shtetasin E. K. dhe pasagjer shtetasin M. L., ku dyshohej se këta të fundit kishin në automjetin e tyre lëndën narkotike.
Duke qenë në kushtet dhe në dyshimin e arsyeshëm, se personat në fjalë po përgatiteshin të shisnin lëndën narkotike tek persona ende të paidentifikuar, si dhe në bazë të veprimeve të dyshimta që po kryenin, është ndërhyrë menjëherë nga Policia, dhe pasi është ndaluar mjeti “Mercedez – Benz” me drejtues shtetasin E. K. dhe pasagjer shtetasin M. L., janë gjetur në bagazhin e këtij mjeti 4 thasë, ku brenda tyre kishte lëndë të dyshuar si “cannabis sativa”, të presuar në formë çokollate.
Gjithashtu gjatë operacionit rreth 50 m larg automjetit të parë, është ndaluar dhe automjeti tip “Citroen”, me drejtues shtetasin I. G.
Sasia e lëndës së dyshuar narkotike, pasi u peshua, rezultoi 111 kg.
Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike kryer në bashkëpunim”.