Vendosni fjalën kyçe....

Përpjekjet e dështuara të Palmer, Fleckenstein, Soreca e Borchardt për zgjidhjen e krizës


Pas vendimi të opozitës së bashkuar për të djegur mandatet dhe për të dalë nga parlamenti, ambasadorët e Bashkimit Europian dhe atij të OSBE-së në Tiranë, Soreca e Borchardt si dhe raportuesi për Shqipërinë, Fleckenstein e dënuan ashpër këtë vendim.

Ata deklaruan njëri pas tjetrit se ky vendim në grup dëmtonte demokracinë në vend dhe se parlamenti ishte vendi për zgjidhjen  e problemeve.

Në të gjitha deklaratat e deri para pak ditëve, ambasadorët në fjalë kanë vijuar trysninë ndaj krerëve të opozitës, duke i kërkuar Bashës e Kryemadhit që të marrin pjesë në reformën zgjedhore dhe zgjedhjet lokale të qershorit.

Ndërkohë që vijonin të ushtronin presion mbi opozitën, ata theksuan para opinionit publik se Shqipëria ka një qeverisje legjitime, se parlamenti është gjithashtu legjitim pavarësisht raporteve ndërkombëtare për blerjen e një pjese votash në zgjedhjet e vitit 2017.

Pavarësisht kësaj trysnie, krerët e opozitës janë treguar të prerë se zgjedhje me Edi Ramën kryeministër nuk do ketë në Shqipëri.

Një javë më parë në Tiranë zbarkoi zv.ndihmësi i Sekretarit Amerikan, Palmer. Ky i fundit u shpreh se nuk ishte në Shqipëri për të zgjidhur krizën, por deklaroi në një takim me disa gazetarë se u kishte kërkuar krerëve të opozitës të merrnin pjesë në zgjedhje ndërsa tha ndër të tjera se qeverisja e Ramës është legjitime.

Një javë pas largimit të Palmer, situata në vend mbetet e njëjtë. Opozita është e prerë në qëndrimin e saj për të mos vajtur në zgjedhje me Ramën kryeministër dhe pa u vendosur për zgjedhje të parakohshme.

Ndërkohë ambasadorët e BE-së dhe OSBE-së, Soreca e Borchardt, kanë deklaruar se po tentojnë në çdo lloj forme për të ulur në tryesë, Ramën nga njëra anë e Bashën me Kryemadhin nga ana tjetër.

“Po tentojmë në çdo formë që të ketë bisedime. Duam që të gjithë faktorët politikë të marrin pjesë në zgjedhje.” – tha nga Shkodra, Borchardt.

Kurse Soreca deklaroi se: “Kur takuam qeverinë e ftuam atë të bisedonte me opozitën në lidhje me reformën zgjedhore. E ftuam qeverinë të krijojë këtë dialog dhe të merren masa në ato fusha që janë në atë kompetencë të tyre, për të parë që nuk kishte nevojë për ndryshime legjislative. Ka disa gjëra që mund të bëhen nga qeveria dhe këto janë gjërat që opozita ka kërkuar. Ne vazhdojmë të bëjmë thirrje për dialog në çdo takim”, tha Soreca.

Deklaratat e tyre janë trumpetuar jo pak mediatikisht në një përpjekje për të ndikuar opinionin publik në vend për interesin e qeverisë, por në fund qëndrimi i tyre nuk ka ndryshuar asgjë në kursin e opozitës së bashkuar për të mos bërë zgjedhje me Ramën kryeministër dhe qëndrimi i tyre nuk ka pasur asnjë ndikim në zgjidhjen e krizës së thellë në të cilën ndodhet vendi. /Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *