Vendosni fjalën kyçe....

U shkarkua nga vettingu, KPA lë në fuqi vendimin për prokurorin Arben Nela


Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA) ka lënë në fuqi vendimin e shkarkimit për Prokurorin Arben Nela. Vendimi është marrë sot dhe për relatorë Rezarta Schuetz dhe Natasha Mulajn.

Nela ankimoi vendimin e marrë më 23 korrik të vitit shkuar nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.

“Ky vendim është përfundimtar, me efekt të menjëhershëm”, thuhet në njoftimin e KPA-së, çka do të thotë se Nela përfundimisht ka humbur shansin për të qenë pjesë e institucioneve të drejtësisë.

Hetimi administrativ i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit gjeti se prokurori i Tiranës, Nela kandidat në atë kohë për në Këshillin e Prokurorisë nuk kishte deklaruar në kohë blerjen e një apartamenti, kishte pasaktësi në deklarimin e pasurive të tjera dhe se sipas KPK-së fshehu burimin e të ardhurave.

KPK vendosi në korrik 2018 të shkarkonte Nelën, ndërsa vendimi i zbardhur në tetor tregonte se prokurori ishte gjetur në shkelje fillimisht nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive e Konfliktit të Interesit (ILDKPI), i cili e shpalli atë të papërshtatshëm.

Nela u justifikua kryesisht duke pretenduar se pasaktësitë nuk ishin të qëllimshme. Ai pretendoi se ILDKPI kishte hetuar në vitin 2009 pasurinë e tij pa gjetur probleme, por ky hetim nuk ishte ruajtur nga institucioni. Për të justifikuar mosdeklarimin në kohën e blerjes së një apartamenti 99.4 metra në Tiranë, prokurori i shkarkuar nga KPK, pretendoi se “Kontrata nuk ishte formalizuar”.

Komisioni në prani të vëzhguesit ndërkombëtar Hans Klijstra, gjeti që pretendimet e tij nuk ishin bindëse dhe se një pjesë e tyre shkonin përkundër provave shkresore të administruara. KPK vendosi të gjykonte Nelën vetëm bazuar mbi kriterin e pasurisë. Trupa arriti në përfundimin se “Subjekti i rivlerësimit ka fshehur dhe evidentuar në mënyrë të pasaktë pasuritë  në pronësi,  posedim ose përdorim të tij”.

Nela filloi punë si prokuror në Prokurorinë e Fierit në vitin 1998. Ai u transferua në Durrës në vitin 2006, ndërsa në vitin 2008 u transferua në Tiranë, ku mbante postin e zëvendësprokurorit para se të përfshihej në procesin e rivlerësimit.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *