Vendosni fjalën kyçe....

Kryemadhi: Rama po izolon Shqipërinë, largimi i tij zgjidhja e vetme


Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Kryemadhi, ka reaguar ashpër për vendimit të marrë dje nga parlamenti holandez, që votoi për kthimin e vizave për qytetarët shqiptarë.

Kryemadhi theksoi se destabilizimi i brendshëm i Shqipërisë dhe partneriteti i krimit me qeverinë ka mbërritur edhe në vendet e Bashkimit Europian.

Ajo tha më tej se vendimi i Holandës mund të pasohet nga vende të tjera të BE-së në një proces zinxhir që do dëmtojë qytetarët shqiptarë.

Në fund Kryemadhi theksoi se rruga e vetme për shpëtimin e vendit është largimi i qeverisë Rama dhe zhvillimi i zgjedhjeve të lira të parakohshme.

Deklarata e Kryemadhit

Debati dhe vendimmarrja e djeshme e Parlamentit Hollandez për t’i propozuar Komisionit Europian kthimin e regjimit te vizave për shtetasit shqiptarë është një goditje e rëndë për rrugëtimin europian të Shqipërisë dhe për mundësinë e mohimit të një të drejtë të fituar me shumë sakrifica 10 vite më parë, siç është E DREJTA E LËVIZJES SË LIRË PA VIZA DREJT HAPËSIRËS SHENGEN.

Motivacioni i këtij mocioni është edhe më i rëndë. Pasi ai ka të bëjë me cënimin e sigurisë kombëtare të Hollandës, nëpërmjet shtimit të grupeve kriminale me origjinë shqiptare dhe veprimtarisë së tyre në atë vend.

Kam dëgjuar me vëmendje reagimet në media, si të palës ndërkombëtare, ashtu dhe faktorëve të brendshëm.

Mocioni i parlamentit Hollandez, është e vërtetë që do duhet të kalojë në një procedurë të gjatë, burokratike, përmes Komisionit Europian, Parlamentit Europian, dhe Këshillit. Por nuk është thelbi i këtij debati.  Problemi dhe debati qëndron diku tjetër.

Fakti që bërtet dhe ulëret më shumë se kudo tjetër, është që krimi i organizuar shqiptar, destabilizimi i brendshëm në të cilin ndodhet Shqipëria sot, ku krimi është në partneritet të ngushtë me qeverinë, është partneri dhe bashkëpunëtori më i ngushtë me zyrtarët e lartë është eksportuar edhe në vendet e Bashkimit Europian, ku Hollanda është vetëm njëri nga vendet më të zëshëm për këtë çështje, por që fatkeqësisht, ky fenomen ka prekur edhe shumë vende të tjera të Bashkimit Europian dhe këtu dëshiroj t’ju rikujtoj, raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit i cili e cilëson Shqipërinë si një bazë operacionale për organizatat e krimit të organizuar që operojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Europë, në Lindjen e Mesme dhe në Amerikën e Jugut.

Ky fenomen i ngritur tashmë zyrtarisht nga Hollanda, rrezikon të marrë një efekt zinxhir në debatin e ardhshëm të vendeve anëtare mbi procesin e integrimit europian, dhe konkretisht për çeljen e negociatave, për të cilat shqiptarët aspirojnë më shumë se kushdo tjetër.

Parlamenti Hollandez konfirmon plotësisht faktin se nuk janë protestat e opozitës dhe djegia e mandateve arsyet e mosçeljes së negociatave, por ajo për të cilën ulëret më shumë se kushdo tjetër është kapja e shtetit, keqqeverisja dhe kapja e gjithë institucioneve nga krimi i organizuar. Ashtu siç e ka theksuar dhe raporti i DASH, Shqipëria është baza operacionale e organizatave të krimit të organizuar.

Jo djegia e mandateve, apo protestat e opozitës krijojnë këtë problem, por janë kriteret  e paplotësuara nga keqqeverisja e Edi Ramës, nga keqqeverisja e tij.  Nga dështimi i institucioneve shqiptare për të bashkëpunuar me institucionet e rendit në Europë dhe për të krijuar kredibilitetin e duhur për konsolidimin e progresit me rezultate të prekshme dhe konkrete në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Koha që u jepet vendeve aspirante për anëtarësim prej miratimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit e duke vazhduar më pas me marrjen e statusit kandidat, çeljen e negociatave e deri në anëtarësimin në union, shërben pikërisht që vendet të përmirësohen përmes reformave dhe realizimit të standarteve.

Ky votim nga Parlamenti Holandes jo vetëm i vë vulën dështimeve te paprecedenta të qeverisë aktuale, por sinjalizon fortë nivelin e ulët të përgatitjes që e bën të pamundur Shqipërine të përballojë sfidat e rrugëtimit europian.

Përpos mesazheve të shumta nga partnerët ndërkombëtarë për të mos e marrë të mirëqenë çeljen e negociatave në qershor, mosveprimi për marrje masash nga ana e qeverise shqiptare dëshmon qartë zgjedhjen me vetëdije të Rilindjes për ta mbajtur vendin larg nga Europa duke i hequr shansin historik të çeljes se bisedimeve për anëtarësim në muajin qershor.

Për qytetarët shqiptarë ky vendim do të thotë IZOLIM, mungesë të theksuar të investimeve të huaja që mund të krijojnë punësim e mirëqenie, do të thotë mungesë shprese për brezin e ri që kaq shumë i duhet vendit tonë në këto momente të thella krize.

Shqipëria ka nevojë për një politikë që të mund ta drejtojë atë drejt perëndimit dhe tashmë është e qartë për cilindo që Edi Rama është njeriu i fundit që mund ta garantojë këtë.

Këmbanat e alarmit tashmë janë shumë pranë veshëve tanë. Dhe problemin kryesor e kemi përpara syve tanë. Nuk ka më kohë për të pritur. Nuk na mbetet më asgjë tjetër. Vetëm reagim përfundimtar përballë kapjes së shtetit nga krimi i organizuar.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *