Vendosni fjalën kyçe....

LSI paralajmëron Ramën e Lleshajn: Padi penale për dhunën shtazarake te Bregu i Lumit


Pas përplasjeve mes banorëve të Bregut të Lumit dhe policisë, Lëvizja Socialiste për Integrim ka paralajmëruar uniformat blu se do të paditen penalisht.

Përmes një deklarate për mediat, ish-deputetja e LSI-së Silva Caka zbuloi disa pamje përmes të cilave denoncoi dhunën, nga e cila tha se nuk kanë shpëtuar as fëmijët.

 “Jam këtu sot për të denoncuar dhunën shtazarake dhe të pashembullt të qeverisë, të ushtruar te Bregu i Lumit ku nuk kursen as gratë, as fëmijët. Ju ftoj të ndiqni disa pamje.
Sot te bregu i lumit, gra të thjeshta dhe punëtore të cilat luftojnë çdo ditë me varfërinë, gra që luftojnë në mënyrë të përditshme për mbijetesë, gra që luftojnë me papunësinë, u përballën me dhunën e shfrenuar të një policie që nuk ka më objekt luftën ndaj kriminelëve por tashmë objekt të saj ka luftën ndaj qytetarëve të thjeshtë”, tha Caka.

Më tej ish-deputetja paralajmëroi kreun e komisariatit 4 në Tiranë, ministrin e Brendshëm Sandër Lleshaj dhe kryeministrin Edi Rama, se do të paditen penalisht pasi kanë urdhëruar policët të dhunojnë banorët.

“Këto gra po mbronin sot gjakun dhe djersën e tyre të hedhur në ato shtëpi. Ushtruesit e dhunës e kanë një emër. Një prej tyre sot është pikërisht Agim Hoxha, kreu i komisariatit nr 4 edhe eprorët e tij që kanë urdhëruar këtë dhunë të pashembullt e kanë një emër. Duke filluar nga Sandër Lleshaj, Kryeministri dhe gjithë të tjerët. Të gjithë këta do përballen me ligjin dhe askush të mos shpresojë që do t’i shpëtojë padisë penale të drejtuar Prokurorisë së Tiranës për ta sot. As qeveria dhe as drejtësia e kapur nuk do të munden ti shpëtojnë dot përgjegjësit e asaj dhune të ushtruar te Bregu i Lumit”, deklaroi ish-deputetja e LSI-së.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *