Vendosni fjalën kyçe....

Pse mund të duhen 40 vjet për rindërtimin e Katedrales së Parisit


Zjarri masiv në katedralen e Notre Dame në Paris shkaktoi dëme katastrofale në strukturën e saj, shigjetën ikonike dhe çatinë e lashtë prej druri.

Por kur zbardhi dita mëngjesin e së martës, dhe gurët e katedrales vazhdonin të qëndronin në këmbë, të shumtë ishin ata që nisën të flisnin për rindërtim.

“Do të jetë një rast i vlerësimit të dëmit, forcimi i çdo gjëje që ka mbetur, një inventar i plotë i asaj që kemi humbur dhe më pas të gjejmë materialet e ndërtimit”, tha Emily Guerry, eksperte e historisë mesjetare europiane në Universitetin e Kentit.

Në një prononcim për CBS News, ajo tha: “Në botën moderne, ne nuk ndërtojmë më si dikur”.

DRURI

Çatia dhe shigjeta e Notre Dame, e cila u dogj plotësisht në zjarrin e së hënës, ishin ndërtuar nga lisi antik. Kishte 13,000 trarë në tavanin e kishës dhe Guerry tha se rreth 3,000 pemë duhen t’i zëvendësojnë ato.

“Në Mesjetë … ishte e mundur të gjeje sasi të mëdha të lisit të bukur e të fortë, por përdorimi në mënyrë të tepruar të materialit çoi në shkatërrimin e shumë pyjeve të dushkut të Evropës,”, tha Guerry.

“Aftësia për të gjetur rreth 3.000 pemë lisi shumë të mëdha në dy dekadat e ardhshme do të jetë një punë e ndërlikuar” – shtoi ajo.

Megjithatë Guerry tha se pemët shumë të larta dhe të vjetra të nevojshme për rindërtimin e katedrales, mund të ekzistojnë në Baltik, nga vjen shumica e lisir evropiane sot.

GURI

Guri gëlqeror i përdorur për të ndërtuar Katedralen Notre Dame “konsiderohet si një nga më të mirët në botë”, tha Guerry për CBS News.

Ajo tha se hapësira mbi dhe rreth kullës së katedrales duhet të rindërtohet, dhe muret anësore duhet të riforcohen.

Guri i Notre Dame ishte gërmuar dhe mbledhur me dorë, në shekullin e 12-të në Normandi.

“Do të duhet një sistem krejtësisht i ri i nxjerrjes së gurit të njëjtë (me dorë) për të krijuar një efekt homogjen.

Kjo kërkon fjalë për fjalë tonelata me gurë, prandaj ne do të kemi nevojë për muratorët më të mirë të gurit në planet, dhe ne do të kemi nevojë për guroret më të mira dhe qasje të menjëhershme në to”.

Xhamat

Të martën, gjendja e dritareve prej xhami të Notre Dame ishte ende e paqartë. Disa ishin shkrirë nga flakët, por të tjerë thuhet se mbetën të paprekura.

“Rivendosja e dritareve të katedrales do të jetë një përpjekje jashtëzakonisht e vështirë dhe delikate, sepse nxehtësia do të deformojë çfarëdo qoftë qelqi.

Ne do të kemi nevojë të heqim një nga një të gjitha pjesët e qelqit, për t’i pastruar ato, për t’i ristrukturuar ato, për të plotësuar mangësitë, për të vlerësuar se çfarë ka humbur dhe pastaj për t’i rivendosur ato ku ishin”, tha Guerry.

“Për fat të mirë rajoni ynë është shtëpia e xhamapunuesit më të mirë në botë, të cilët janë të trajnuar duke përdorur teknika të shekullit të 12-të, me aftësitë për t’i bërë ato të bukura dhe të mrekullueshme”.

Kostot e rindërtimit

Rindërtimi i Notre Dame do të kërkojë rreth 40 vjet kohë dhe nëse ne jemi shumë të shpejtë, ndoshta 20 vjet, por do të jetë një brez i tërë. Kjo do të jetë një përpjekje e madhe komunale.

Të martën, qindra miliona dollarë u mblodhën për të ndihmuar në rindërtimin e katedrales nga korporata dhe individët, duke përfshirë kompaninë e naftës Total dhe miliarderin François-Henri Pinault, i cili është CEO i kompanisë mëmë të markave të modës si Saint Laurent dhe Gucci.

Presidenti francez Emmanuel Macron njoftoi një takim kabineti për të mërkurën për të diskutuar planin për restaurimin, me një seancë pasdite të dedikuar posaçërisht për mbledhjen e fondeve.

Shtetet e tjera, përfshirë Britaninë e Madhe, Spanjën dhe Rusinë gjithashtu ofruan solidaritet dhe ndihmë.

VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e CBC News/ Përshtati në shqip Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *