Autoriteti i Medieve Audiovizive gjobiti sot 4 televizione shqiptare për dhunim të të drejtave të fëmijëve, nxitje të gjuhës së urrejtjes dhe reklamë të fshehur.
Ata janë “TV Klan”, “News 24”, “Report TV” dhe “Ora News”.
Gjobat dhe arsyet:
Masën admministrative me gjobë në vlerën 200.000 lekë, ndaj Televizionit Report TV, pasi në emisionin “Pa gjurmë”, të datës 14.01.2019, janë dhunuar të drejtat e një fëmije, duke cenuar privatësinë dhe dinjitetin e tij.
Masën administrative me gjobë në vlerën 400.000 lekë, ndaj Televizionit Ora Neës, për emisionin “Ju flet Moska”, të transmetuar në datën 18 Mars 2019 me temën “Skënderbeu dhe vrasjet në xhamitë e Zelandës së Re”. Këto deklarime nxisin intolerancën ndërmjet shtetasve, nxisin dhe justifikojnë dhunën, nuk respektojnë gjuhën dhe larminë e traditave, besimeve fetare, kulturës dhe moralit të qytetarëve. Shkelja e këtyre parimeve ligjore gjatë këtij transmetimi përbën nxitje të urrejtjes mbi baza fetare dhe, si e tillë, është e dënueshme nga ligji.
Masën administrative me gjobë në vlerën 120.000 lekë, ndaj Televizionit News 24, për edicionin informativ qendror të datës 15.03.2019 ora 19.00. Këshilli i Ankesave evidentoi dy reklama të fshehta të dhëna njëra pas tjetrës.
Masën administrative me gjobë në vlerën 120.000 lekë, ndaj Televizionit Klan, pasi në programin “Rudina”, të datës 27.03.2019, nuk janë respektuar kërkesat për reklamat dhe komunikimet tregtare. Përmbajtja e transmetuar në pjesën e dytë të programit “Rudina” kishte dhe reklamë të fshehur… Mjekut nuk i lejohet të bëjë asnjë publicitet në favor të aktivitetit të tij personal, apo të një institucioni të caktuar”.
Bordi vendos tërheqjen e vëmendjes për Televizionin Ora News, pasi në Emisionin “Why not”, të datës 07.04.2019, ora 19.00, rezulton në shkelje të normave ligjore dhe etike. Bordi vëren se “fjalori i përdorur gjatë bashkëbisedimit dhe përgatitja e cigareve në studio, para kamerave, promovon përdorimin e duhanit dhe produkteve të tjera të tij, si dhe nxit fëmijët për përdorimin e këtyre produkteve të dëmshme jo vetëm për shëndetin e fëmijëve”.