Vendosni fjalën kyçe....

Si me telekomandë, mediet afër Ramës organizohen në mbrojtje, për vizat me Holandën


Prej ditës së djeshme kur u konfirmua votimi i parlamentit të Holandës për kthimin e vizave me Shqipërinë, mediet afër qeverisë kanë nisur aksionin e mbrojtjes së qeverisë Rama.

Në kushtet kur lajmi nuk mund të fshihet më, edhe pse pati tentativa të muajve më parë për të mohuar raportet që i ishin dërguar parlamentit holandez për kriminalitetin, kësaj here këto medie po luajnë kartën “e problemeve të brendshme” të Holandës.

Pra, sipas tyre, edhe pse opinioni publik shqiptar po gëlon për këtë zhvillim jo pozitiv, ky vendim ka ardhur si rezultat i problemeve të vetë Holandës dhe jo punës së dobët të qeverisë shqiptare.

Le ta konkretizojmë të gjithë këtë përmbledhje me disa tituj dhe përmbajtje shkrimesh të shkëputura sot.

“Top Channel” zgjedh t’i kushtojë një intervistë të zgjeruar ish-ambasadorit të Holandës, në Tiranë, Robert Bosch, sipas të cilit vizat kanë të bëjnë me luftën e brendshme të këtij vendi.

“Ish-ambasadori Robert Bosch: Vizat? Luftë e brendshme në Holandë”, mban titullin intervista e publikuar edhe nga “shqiptarja.com” dhe “ReportTv”.

Lexoni me vëmendje dy pyetje-përgjigje, për të kuptuar më shumë, edhe pse ish-ambasadori thotë se në Holandë mediet publikuan shkrime të gjata për krimin shqiptar.

“Muhamed Veliu: Cili është motivi pas këtij zhvillimi, sipas jush?

Robert Bosch, ish-ambasador i OSBE në Tiranë: Sinqerisht që nuk e di. Por, di që shumë nga ata që votuan pro nuk e kanë pasur këtë mendim më parë, por ndryshuan mendje. Unë kam folur me disa prej tyre duke i prezantuar disa fakte. Çuditërisht, një ditë përpara votimit, pra të martën, një artikull i gjatë për kriminalitetin shqiptar u publikua në një gazetë serioze dhe më e mira në vendin tonë. Përsëri një shkrim me doza të theksuara negative për vendin tuaj dhe krimin shqiptar në Holandë. Kjo më duket e çuditshme, pasi është gazeta më e respektuar në Holandë. Në shkrim thuhej se shqiptarët janë numri 1, si njerëz të dhunshëm. Kjo nuk është aspak e vërtetë. E gjitha kjo që u publikua është e pabesueshme dhe natyrisht, deputetët kur lexojnë një shkrim të tillë ndryshojnë mendim. I kam shkruar kësaj gazete. U thashë atyre se do t’i dërgoj faktet dhe ajo çfarë kanë shkruar është e papranueshme.

Muhamed Veliu: Ky vendim i Parlamentit tuaj, në Shqipëri është komentuar si një goditje për qeverinë e kryeministrit Edi Rama. Doja t’iu pyes, a ishte ky votim një goditje për qeverinë shqiptare, apo një çështje tërësisht e brendshme e Holandës?

Robert Bosch, ish-ambasador i OSBE në Tiranë: Mendoj se kjo është një çështje e brendshme e disa deputetëve për të treguar sa shumë ata janë kundër krimeve dhe sa të dëmshëm janë të huajt. Siç e thashë, vetëm 0.2% e krimeve lidhen me shqiptarët. E gjithë kjo është një ofendim i madh për Shqipërinë dhe shqiptarët. Është koha për të gjitha partitë në Shqipëri, përfshi opozitën dhe qeverinë, të ngrihen e të thonë se, e gjithë çfarë shkruhet e diskutohet nuk jemi ju. Natyrisht ata duhet të thonë se vendi juaj, si çdo vend ka elementë kriminalë, por e përgjithshmja anon te njerëzit e mirë. Duhet ta bëjnë të qartë që shqiptarët nuk janë ata siç përshkruhen. Kjo duhet t’i përfshijë të gjithë. Edhe nëse ju përfaqësoni opozitën, përfaqësoni vendin dhe popullin që është ofenduar. Në këtë rast nuk është ofenduar qeveria, por populli i Shqipërisë në një formë ekstreme dhe kjo është totalisht e papranueshme.”

Interesant është fakti se në grup mediet afër Ramës janë organizuar për një tjetër artikull: “Holanda na paragjykon! Kriminaliteti shqiptar atje, vetëm 0.2 për qind”. E njëjta përmbajtje është publikuar nga TCH, “Java News” dhe “shqiptarja.com”. dhe “Tirana Post”.

Për t’u dukur origjinalë, drejtuesit e këtyre redaksive kanë shkruar, në të njëjtën frymë, edhe qëndrime, lajme “qetësuese” për lexuesit apo kanë shenjëstruar ish-deputetë të opozitës kur flisnin në televizionet holandeze. /Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *