Më shumë se 141,000 vajza në të gjitha shkollat fillore dhe të mesme të Uellsit do të përfitojnë falas të gjitha produktet sanitare që përdoren gjatë menstruacioneve, shkruan “BBC“.
Ministrat kanë vendosur një grant prej 2.3 milion paundësh për të financuar skemën. Masa synon të trajtojë varfërinë që shoqëron periudhën e menstruacioneve – ku grave dhe vajzave u duhet të blejnë sende të shtrenjta sanitare.
Të rinjtë që po merren me fushatën thonë se vajzat e reja mungojnë në shkollë, sepse nuk mund ta përballojnë të blejnë produktet që u duhen.
Ministri Mark Drakeford deklaroi se shuma e parave do të vihej në dispozicion të këshillave menjëherë.
“Ne jemi të angazhuar për ta trajtuar këtë pabarazi në Uells dhe ky financim do të ndihmojë që produktet për mensruacionet të jenë në dispozicion të nxënësve në të gjitha shkollat, pa pagesë dhe në mënyrën më dinjitoze të mundshme.”, tha Drakeford.
Vitin e kaluar 700,000 paund u përdorën për pajisjet e tualetit të shkollës dhe 440,000 paund për të lejuar këshillat të ofrojnë produkte falas përmes shkollave, mensave ushqimore dhe strehave për ata që mund të kenë vështirësi për t’i përballuar.
Drakeford tha se dhe kolegjet do të përfitonin gjithashtu, por detajet e plota nuk janë zbuluar.