Vendosni fjalën kyçe....

Këshilli i ambasadorëve: Vendimi i Parlamentit holandez për vizat, dëmton imazhin e vendit


Pas vendimit të Parlamentit të Holandës për të rikthyer vizat për shqiptarët, ka reaguar Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë. Përmes një deklarate për mediat, Këshilli i Ambasadorëve (CAA) e konsideron propozimin e legjislativit holandez për pezullimin e përkohshëm të liberalizimit të vizave për Shqipërinë, si një hap që dëmton qartësisht imazhin e vendit dhe të qytetarëve shqiptarë në mbarë botën.

Sipas CAA-së ka mungesë reflektimi nga strukturat përgjegjëse shqiptare, pasi ende nuk kanë bërë një analizë për vendimin e parlamentit holandez.

 “Një vendim i tillë, me pasoja të rënda për imazhin dhe lëvizjen e lirë të shqiptarëve, duhet shoqëruar me një analizë serioze dhe me përgjegjësi të lartë institucionale, duke përcaktuar dhe masat konkrete për adresimin, frenimin dhe minimizimin e të gjithë problematikave që kanë ndikuar në marrjen e këtij vendimi.

Organi i përfaqësisë diplomatike shqiptare i drejton Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme (MEPJ) thirrjen për të ndërmarrë menjëherë hapat e nevojshëm në marrëdhënie me Holandën dhe agjencitë e saj ligjzbatuese, me qëllim që propozimi për rikthimin e regjimit të vizave për shtetasit shqiptarë të mos shoqërohet nga një efekt “domino” në vendet e tjera anëtare të Bashkimit Evropian.

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë nënvizon se marrja e sinjalit pozitiv në muajin qershor për çeljen e negociatave të antarësimit në BE është dhe mbetet përparësia madhore, në interes të vendit dhe të vetë BE-së”. – shkruhet në deklaratën e CAA-së.

Vendimi i Parlamentit Holandez e kthen Shqipërinë shumë hapa pas në procesin e integrimit europian.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *