Vendosni fjalën kyçe....

Luan Rama: Opozita e bashkuar s’do lejojë zgjedhje farsë me Edi Ramën kryeministër


Zëvendëskryetari i LSI-së, Luan Rama, ka bërë publike qëndrimet dhe vendimet e marra në mbledhjen e kryesisë së LSI-së ditën e sotme.

Rama theksoi se vendi ndodhet në një krizë të plotë e të gjithanshme, politike, kushtetuese, parlamentar, institucionale dhe krize besimi të qytetarëve ndaj institucioneve.

Ai tha se aksioni opozitar do të vijojë i pandalur për të mos lejuar që në vend të zhvillohen zgjedhje farsë dhe që blihen e komandohen nga krimi i organizuar.

“Kryesia e LSI-së, e mbledhur sot në një mbledhje të posaçme për të analizuar situatën politike në vend dhe zhvillimet e pritshme, përkundrejt farsës dhe butaforisë së shëmtuar që ofron Kuvendi i votave të vjedhura nga bandat kriminale konkludon që situata politike dhe kriza politike në vend vazhdon të jetë gjithnjë e më rëndë, pasi vendi gjendet përballë një krize tërësore politike, kushtetuese, përballë një krize parlamentare, institucionale dhe mbi të gjitha përballë një krize besimi të qytetarëve ndaj qeverisjes dhe institucioneve të vendit. Shqipëria është një shtet i kapur, një shtet i kapur nga strukturat kriminale që kanë imponuar vullnetin e tyre në zgjedhjet që kanë prodhuar maxhorancën që është në shërbim të krimit dhe mbi bazën e këtij realiteti, aksioni politik i LSI-së i inkuadruar në tërësinë e veprimit politik, qytetar të opozitës do të vazhdojë me vendosmëri për të mos lejuar që në këtë vend të ketë më zgjedhje farsë, për të mos lejuar që në këtë vend të ketë më zgjedhje që komandohen dhe blihen nga grupet kriminale, për të zgjedhur pushtetin dhe qeverinë që u shërben atyre.” – tha Rama.

Më tej zëvendëskryetari i Lsi-së, shtoi se kryesia e kësaj force politike ka mandatuar Sekretarin e Përgjithshëm që të finalizojë marrëveshjen e bashkëpunimit me PD-në dhe frontin opozitar për garantimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme.

“Në këtë kontekst, Kryesia vendosi të mandatojë Kryetaren e Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe Sekretarin e saj të Përgjithshëm që të finalizojnë marrëveshjen e bashkëpunimit me Partinë Demokratike dhe të gjithë Frontin Opozitar për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, për të garantuar jo vetëm mbrojtjen e interesit publik dhe aksionin opozitar, përfshirë këtu edhe detyrat e qeverisë tranzitore, në mënyrë të veçantë duke specifikuar në detyrat e saj edhe platformën për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Përpjekja e dëshpëruar dhe e dështuar e qeverisë për të shfokusuar vëmendjen e opinionit publik nga problemet e mëdha që ka vendi, nga kriza e përgjithshme politike, kushtetuese, institucionale, parlamentare dhe e besimit. Natyrisht është vetëm një shenjë më shumë e krizës në të cilën gjendet vetë qeverisja e vendit, është një shenjë më shumë e dëshpërimit të saj, që vjen sa nga rezistenca, revolta dhe protesta qytetare aq edhe nga moria e një pas njëshme e skandaleve, të cilat me këtë qeveri janë të lidhur pazgjidhshmërisht. Dhe këtu kam parasysh jo thjesht dhe vetëm një mori skandalesh të ditëve të fundit, por edhe qëndrimin e vendeve partnere, qëndrimin e organizmave ndërkombëtarë, pasi Shqipëria për fat të keq është në qendër të fokusit të kontestit dhe të vëmendjes së tyre.” – shtoi Rama.

Në fund Rama tha se realiteti politik në të cilin ndodhet vendi i ngjason atij të viteve 90-91, kurse vendin e drejtonte Partia e Punës.

“Dëgjova pak më parë kryetarin e qeverisë të flasë në Kuvend për të ashtu quajturën kënaqësi të opozitës në lidhje me votimin më të fundit të Parlamentit të Hollandës, i cili ka kërkuar rivendosjen e vizave për qytetarët shqiptarë. Më parë se të akuzojë opozitën, dhe më parë sesa të nxjerrë zëdhënësit e vet mjeranë për të justifikuar, ky moment ka nevojë për reflektim. Ka nevojë për reflektim dhe për të parë realisht situatën e kriminalitetit, situatën e trafiqeve, situatën e korrupsionit. Sepse në tërë palcën e sistemit politik shqiptar aktual nuk ka gjë tjetër për veç se krim, korrupsion dhe shpërdorim. Prandaj problemi i madh që duhet të zgjidhë shoqëria shqiptare është mbi të gjitha që pasi të kemi çuar vendin në zgjedhje të parakohshme përmes qeverisë transitore, t’i çelim rrugën reformimit tërësor te sistemin politik, sepse sistemi aktual politik rezulton i dështuar, i kalbur , i kriminalizuar.

Për fat të keq Shqipëria është rikthyer në kushtet e realitetit politik të viteve 90-91, kur Kuvendit apo Parlamentit të atëhershëm të Partisë së Punës, i mbeti vetëm një detyrë. Të çonte vendin në zgjedhje për të garantuar pluralizmin politik dhe demokracinë pluraliste në Shqipëri. Ndaj dhe sot kjo mazhorancë ka vetëm një detyrë. Të çojë vendin në zgjedhje të parakohshme për të garantuar proces zgjedhor, të lirë të ndershëm, të barabartë, në mënyrë që qytetarët shqiptarë, jo vetëm të votojnë, por mbi të gjitha të kenë të drejtën të zgjedhin. Të zgjedhin në liri të plotë dhe jo siç kanë zgjedhur në zgjedhjet e vitit 2017, kur vota e tyre u ble, u kriminalizua për të prodhuar këtë qeverisje, këtë mazhorancë që është bërë një me krimin dhe që ka krijuar jo vetëm kosto të mëdha për imazhin e Shqipërisë, por mbi të gjitha ka vënë në risk, interesat kombëtare të Integrimit Europian të Shqipërisë.” – mbylli Rama deklaratën.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *