Vendosni fjalën kyçe....

Mueller bën publik raportin për ndërhyrjet ruse (Detajet)


Një nga ngjarjet mbizotëruese në presidencën dyvjeçare të Donald Trump-it kalon në një fazë të re të enjten me publikimin e raportit të prokurorit të posaçëm Robert Mueller lidhur me akuzat për bashkëpunim të fshehtë dhe pengim të drejtësisë.

Prokurori i Përgjithshëm William Barr komentoi lidhur me raportin e zotit Mueller në një konferencë për shtyp në Departamentin e Drejtësisë, ndërsa kopjet e raportit po dërgohen në Kongres e pastaj do të publikohen në internet.

William Barr

Prokurori i Përgjithshëm ofroi hollësi të raportit të Prokurorit të Posaçëm Robert Mueller mbi rolin e Rusisë në zgjedhjet e vitit 2016 në Shtetet e Bashkuara, para se ta bënte publike raportin, duke theksuar se nuk ka gjetur ndonjë bashkëpunim të fshehtë midis fushatës së Presidentit Donald Trump dhe Moskës.

Zoti Barr, i emëruar si kreu i Departamentit të Drejtësisë nga presidenti Trump, dha një konferencë për shtyp përpara publikimit të raportit të shumëpritur, një ngjarje me rëndësi kjo për presidencën Trump.

“Prokurori i Posaçëm ka hetuar një numër lidhjesh apo kontaktesh mes zyrtarëve të fushatës Trump dhe individëve të lidhur me qeverinë ruse gjatë fushatës presidenciale të vitit 2016. Pas shqyrtimit të këtyre kontakteve, Prokurori i Posaçëm nuk gjeti asnjë komplot që shkel ligjin amerikan që përfshin personat e lidhur me Rusinë dhe ndonjë personi të lidhur me fushatën presidenciale. Ky është përfundimi kryesor. Pas rreth dy vjet hetimesh, me mijëra thirrjesh për dëshmi, me qindra fletë-arrestesh dhe intervista dëshmitarësh, Prokurori i Posaçëm konfirmoi se qeveria ruse sponsorizoi përpjekjet për të ndërhyrë në mënyrë të paligjshme në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016, por nuk gjeti se fushata Trump apo amerikanë të tjerë bashkëpunuan me këto përpjekje. Pasi nuk gjeti asnjë bashkëpunim të fshehtë me Rusinë, raporti i Prokurorit të Posaçëm vazhdon të shqyrtojë nëse veprimet e caktuara të presidentit mund të përbëjnë pengim të hetimit. Siç e kam thënë në letrën time të 24 marsit, Prokurori i Posaçëm nuk dha një gjykim prokurorial tradicional lidhur me këtë pikë. Në vend të kësaj, raporti paraqet 10 episode që përfshijnë presidentin dhe diskuton teoritë e mundshme ligjore për lidhjen e këtyre aktiviteteve me elementet e një vepre të pengesës. Pas shqyrtimit të kujdesshëm të fakteve dhe teorive ligjore të parashtruara në raport dhe në konsultim me Zyrën e Këshilltarit Ligjor dhe avokatët e tjerë të departamentit, zëvendës Prokurori i Përgjithshëm dhe unë arritëm në përfundimin se provat e paraqitura nga Prokurori i Posaçëm nuk janë të mjaftueshme për të vërtetuar se presidenti ka kryer një pengim të drejtësisë. Megjithëse zëvendës Prokurori i Përgjithshëm dhe unë nuk pajtohemi me disa prej teorive ligjore të Prokurorit të Përgjithshëm dhe se disa nga episodet e shqyrtuara nuk përbën pengesë ligjore, ne nuk u mbështetëm vetëm aty për të marrë vendimin tonë.”

Ai tha se avokatëve personalë të Presidentit Trump “iu dha mundësia të lexonin një version përfundimtar të raportit të redaktuar përpara se ai të bëhej publik”, një deklaratë që me siguri do të zemërojë demokratët e Kongresit.

Publikimi i raportit, me pjesë që pritet të paraqiten të mbuluara me bojë të zezë për të mbrojtur disa informacione të ndjeshme, pritet të shkaktojë një betejë të re politike në Kongres si dhe në fushatën presidenciale për zgjedhjet e 2020-s, ndërkohë që zoti Trump kërkon të rizgjidhet në një atmosferë ndarjesh të thella politike në vend.

Në një sërë postimesh në Twitter përpara publikimit të raportit, Presidenti Trump e kritikoi ashpër hetimin e Prokurorit të Posaçëm Mueller, duke e quajtur Udhëheqësi i SHBA, në Twitter, thirri hetimin 22 mujor të Mueller-it “Mashktrimi më i madh politik i të gjitha kohërave!”

Prokurori i posaçëm Mueller ia paraqiti raportin zotit Barr më 22 mars. Dy ditë më vonë, zoti Barr u tha ligjvënësve se hetimi nuk vërteton se ekipi i fushatës Trump në vitin 2016 u angazhua në një konspiracion kriminal me Rusinë dhe se raporti e nxjerr të larë Presidentin Trump përsa i përket akuzave për pengim të drejtësisë.

Raporti i redaktuar

Kongresi dhe populli amerikan do të shohin për herë të parë në hollësi faktet që zoti Mueller shqyrtoi pasi ai dhe ekipi i tij i hetuesve federalë punuan për të përcaktuar nëse fushata e zotit Trump ose bashkëpunëtorët e tij bashkëpunuan fshehurazi me Rusinë në përpjekjet e saj për të ndërhyrë në zgjedhjet e vitit 2016 që e sollën presidentin Trump në pushtet.

Agjencitë amerikane të zbulimit në fillim të vitit 2017 vlerësuan se Rusia, nën drejtimin e Presidentit Vladimir Putin, zhvilloi një fushatë për të minuar zgjedhjet dhe kishte një preferencë të qartë që zoti Trump të fitonte.

Njerëz që e kanë parë raportin prej 400-faqësh të zotit Mueller, të cilët folën me gazetat The Washington Post dhe The New York Times, thanë se dokumenti hyn në hollësi për akuzat e ndryshme nëse zoti Trump pengoi hetimin federal në lidhje me aktivitetet e Rusisë gjatë zgjedhjeve.

Kryeprokurori Barr publikoi para disa javësh një letër të shkurtër me përmbledhjen e tij të gjetjeve të zotit Mueller, ku theksohet se fushata Trump nuk bashkëpunoi me Rusinë dhe se sipas mendimit të zotit Barr informacionet nga zoti Mueller nuk treguan mjaftueshëm mbështetje për akuzat se presidenti pengoi drejtësinë.

Shumë njerëz do ta analizojnë raportin për të parë se si qëndrojnë konkluzionet e tij kur krahasohen me informacionin më të plotë që do të jetë në dispozicion të publikut.

Reagimi i demokratëve

Kryetari i Komisionit të Drejtësisë në Dhomën e Përfaqësuesve Jerrold Nadler tha se Prokurori i Përgjithshëm është duke ndërmarrë hapa të paprecedentë për të ndryshuar hetimin e prokurorit të posaçëm mbi Rusinë.

Ligjvënësi Nadler, demokrat nga Nju Jorku, tha se Prokurori i Përgjithshëm William Barr “duket se po bën një fushatë mediatike” në emër të Presidentit Donald Trump. Ai paralajmëron se nëse raporti është redaktuar shumë, komisioni do të përdorë kompetencat e tij për të kërkuar “shumë shpejt” raportin e plotë.

Zoti Nadler tha se “ndoshta do ta gjejë të dobishme” të thërrasë vetë prokurorin Mueller dhe anëtarët e ekipit të tij për të dëshmuar pas leximit të versionit të raportit.

Kryeprokurori Barr shoqërohej në konferencën e tij të shtypit nga Zëvendës Prokurori i Përgjithshëm Rod Rosenstein, i cili për pjesën më të madhe të hetimit të zotit Mueller ishte personi që mbikqyrte hetimin në Departamentin e Drejtësisë. Askush nga ekipi i zotit Mueller nuk mori pjesë në konferencë.

Presidenti Trump tha të mërkurën se po shikonte mundësinë për të mbajtur një konferencë shtypi të enjten. Duke folur në për stacionin radiofonik WMAL, zoti Trump tha: “Do të shihni se shumë gjëra shumë të forta do të dalin nesër. Prokurori i Përgjithshëm Barr do të japë një konferencë për shtyp. Ndoshta unë do të bëj të njëjtën gjë pas kësaj; do ta shohim.”

VINI RE: Ky artikull është pronësi intelektuale e Zërit të Amerikës

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *