Vendosni fjalën kyçe....

EUROSTAT: Rritja më e madhe e çmimeve në mars te hotelet dhe restorantet


Niveli i Përgjithshëm i Çmimeve i matur sipas metodës së Eurostat u rrit me ritme më të ulta gjatë muajit mars 2019, duke ndjekur pak a shumë e ecurinë e të dhënave kombëtare për këtë tregues.

Sipas matjeve të Eurostat ndryshimi vjetor i matur nga Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit në muajin mars 2019 është 1,4 %.

Rritja më e madhe e çmimeve prej 3,6 %, vërehet në grupin “Hotele, kafene dhe restorante”, pasuar nga grupet “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 2,6 %, “Pije alkoolike dhe duhan” me 0,6 %, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 0,4 %, “Mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” dhe “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 0,2 % secili, “Veshje dhe këpucë” dhe “Shërbimi arsimor” me 0,1 % secili.

Nga ana tjetër çmimet e grupit “Argëtim dhe kulturë” u ulën me 0,4 %, pasuar nga grupet “Shëndeti” me 0,3 %, “Transporti” me 0,2 %.

Në muajin Mars 2019, ndryshimi mujor i matur nga Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit është -0,5 %.

Ky ndryshim është ndikuar kryesisht nga ulja e çmimeve të grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 1,2 %, pasuar nga grupet “ Veshje dhe këpucë” me 0,5 %, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 0,4%, etj.

Nga ana tjetër çmimet e grupit “Transporti” u rritën me 0,3 %, pasuar nga “Pije alkoolike dhe duhan”, “Shëndeti” dhe “Argëtim dhe kulturë” me 0,1 % secili.

Për të ndihmuar hartimin e politikave dhe për të realizuar një krahasueshmëri sa më të mirë me vendet e tjera, në bashkërendim me Eurostat, INSTAT ndërmori hapa në drejtim të krijimit të një baze të përbashkët metodologjike të shteteve anëtare për ndërtimin dhe përdorimin e IHÇK-së, sipas Rregullores së Këshillit Europian (KE), nr. 2494/95, të datës 23 tetor 1995.

Inflacioni i Eurozonës matet mbi bazën e treguesit të IHÇK-së. Termi “i harmonizuar” nënvizon faktin që të gjitha vendet e BE-së zbatojnë të njëjtën metodologji në matjen e treguesit përkatës.

Ndryshimet e kontributit nga një tregues në tjetrin lidhen me faktin se kompozimi i peshave të mallrave brenda grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike” është i ndryshëm nga një tregues në tjetrin.

Kështu, brenda këtij grupi, nëngrupi “Fruta – Perime”, ka një peshë më të madhe te shporta e IHÇK-së (12.84% e shportës totale) sesa tek ajo e IÇK-së (8.44% e totalit).

Për shkak të këtij ndryshimi, kontributi i këtij grupi mallrash te totali është i barabartë me 2.5 pikë përqindje në rastin e treguesit IHÇK dhe me 1.2 pikë përqindje në rastin e IÇK-së. Ndryshime të vogla në kontribute vihen re edhe në disa grupe të tjera, por jo në madhësinë e ndryshimit të rastit të mësipërm.

Zërat e shportave përkatëse në rastin e Shqipërisë. IÇK-ja përmban 332 zëra; IHÇK-ja përmban 331 zëra (qiraja e imputuar nuk është element i shportës).

IÇK-ja mbulon vetëm shpenzimet familjare private shqiptare të kryera, brenda territorit të vendit. Burimi kryesor i të dhënave për shpenzimet (“peshat”) është Anketa e Buxhetit të Familjeve (ABF); IHÇK-ja mbulon të gjitha shpenzimet e kryera brenda territorit të vendit nga familjet shqiptare, si dhe shpenzimet e vizitorëve rezidentë dhe jorezidentë. Burimi kryesor i të dhënave për shpenzimet (“peshat”) janë Llogaritë Kombëtare “Shpenzimet Monetare të Konsumit Final të Familjeve (HFMCE)”.

VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e Monitor.al

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *