Prokurori Olsian Çela është i pari që kandidon për postin e Prokurorit të Përgjithshëm. Ai e ka regjistruar kandidaturën e tij sot në KLP.
Këshilli i Lartë i Prokurorisë shpalli fillimin e procedurës për përzgjedhjen e kandidatëve për Prokuror të Përgjithshëm vetëm pak javë më parë, ndërsa bëri të ditur edhe kriteret që duhet të plotësojnë prokurorët që të kandidojnë.
Sipas rregullores së miratuar nga KLP, vlerësimi i kandidatëve fillimisht do të bëhet nga vetë KLP-ja dhe kandidatët duhet t’i nënshtrohen Vettingut dhe të hetohen në tre kriteret.
Pas përfundimit të seancave dëgjimore dhe raportit përfundimtar, Këshilli i rendit kandidatët sipas pikëve të marra, duke filluar nga kandidati që ka marrë më shumë pikë. Në rastet kur kandidatët kanë pikë të barabarta, ata do të listohen në bazë të vjetërsisë në profesion dhe në përvojën profesionale.
Kriteret që kandidatët duhet të plotësojnë:
Sipas rregullores së miratuar disa javë më parë, prokurori që do të kandidojë për të marrë drejtimin e organit qendror të akuzës duhet të ketë:
-15 vjet përvojë pune si jurist i spikatur;
– të jetë diplomuar në Shkollën e Magjistraturës ose të ketë gradë shkencore në drejtësi;
– të mos ketë mbushur moshën e daljes në pension;
-të mos ketë mbajtur gjatë 10 viteve të fundit, para dorëzimit të shprehjes së interesit për Prokuror të Përgjithshëm, funksione politike në administratën publike; të mos ketë mbajtur gjatë 10 viteve të fundit pozicione drejtuese në partitë politike; të mos kenë qenë anëtarë, bashkëpunëtorë ose të favorizuar të ish-Sigurimit të Shtetit para 2 korrikut 1991;
-të mos kenë qenë dënuar më parë me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale; të mos kenë qenë bashkëpunëtorë, informatorë ose agjentë të shërbimeve të inteligjencës dhe të mos kenë masë disiplinore në fuqi.