Gazetari Erion Skëndo, i cili mbeti i lënduar në protestën e 16 prillit, ka rrëfyer momentin e incidentit. Ndërsa ishte i ftuar në emisionin “Të paekspozuarit”, Skëndo tha se kur po raportonte nga terreni, policia i ka hedhur granatë zhurmuese te këmbët.
Skëndaj tha se si pasojë, ai ka pësuar probleme serioze me dëgjimin.
“Në protestën e 16 prillit, më hodhën një granatë taktike zhurmuese, isha i vetëm. Sapo kishin kaluar mjetet e ujit me presion dhe nuk kishte njerëz. Jam 30 metra larg nga parlamenti. Isha i identifikuar pasi kisha dhe xhupin e News dhe me kartë.
Kam pasur dhe kundërgaz. Nuk kishte njerëz ndonjë kalimtar tek-tuk. Të gjithë largohen, jam vetëm unë që filmoj forcat e FNSH dhe më hidhet një granatë zhurmuese që mua më ka shkaktuar dhe një dëm në veshin e majtë. Nuk jam konsultuar duke qenë se jam dhe gazetar i shëndetësisë, do pres 30-40 ditë mos ka rikuperim gradual. Atë ditë dhe dy-tre ditë më pas veshi më oshëtinte.”, tha gazetari.
Më tej Skëndaj tha se ishte interesuar te ish-drejtues të RENEA-s për këtë granatë, dhe kishte mësuar se përdorej nga forcat speciale për neutralizimin e personave me rrezikshmëri të lartë.
“Unë kam pyetur ish-drejtues të lartë të forcave RENEA, kjo armë është në dispozicion të forcave speciale, përdoret për neutralizimin e personave me rrezikshmëri të lartë. Nga informacionet që kam, kjo armë përdoret për këtë gjë. Kjo është përdorur në protestën e 16 shkurtit. Përveç se bën zhurmë shurdhuese, lëshon dhe gaz CS, neutralizues ose lotsjellës”, deklaroi Skëndaj.
Sipas Skëndajt, ky lloj gazi që granata lëshon nuk është i certifikuar për t’u përdorur kundër qytetarëve në masë.
“Nga drejtues të RENEA-s mësova se gazi përdoret i komanduar, tek personat me rrezikshmëri maksimale, jo në masë. Më është thënë që përmbajtja e piperit kur hyn në sistemin e frymëmarrjes, në indet e buta dhe bllokon frymëmarrjen. Duhet paralajmëruar që përdoret”, tha gazetari.