Arqipeshkvi Metropolit të Tiranës dhe Durrësit, Imzot George Frendo, u ka bërë apel politikanëve me prag të Pashkëve që të angazhohen për një zgjidhje të krizës në vend dhe të mos shqetësohen vetëm për statusin e tyre.
Në mesazhin një ditë para “Ringjalljes së Krishtit”, Frendo tha se nuk do ‘vetëvrasjen’ e kombit.
“Sivjet po kremtojmë pashkët në një moment shumë kritik dhe të tensionuar në vendin tonë. Unë nuk jam politikan, nuk po flas si politikan por jam bari dhe si bari shpirtëror që e do Shqipërinë dhe shqiptarët nuk mund të hesht përballë kësaj situate.
U bëj apel të gjithë politikanëve, kanë detyrë morale të angazhohen për një zgjedhje të drejtë dhe të shqetësohen më shumë për të mirën e përbashkët se sa për pozitën që kanë. Situata tashmë është shumë e rëndë dhe sa më shumë të zgjasë, më të mëdha do jenë pasojat për popullin.
Ne nuk duam vetëvrasjen e kombit.
Krishti i ngjallur në takimet e tij me njerëz pati gjithmonë të njëjtin urim ‘Paqja me ju’, atyre që mbajnë inat në zemrat e tyre që merren me ndjenja hakmarrjeje, Krishti iu thotë falni ashtu sikurse unë iu kam falur.
Atyre që protestojnë me dhunë, me vandalizëm Jezusi i kujton fjalët e tij drejtuar Pjetrit kur i tha ‘Të gjithë ata që rrokin shpatën nga shpata do të vdesin.
Dhe atyre që kanë autoritet politik iu kujton se në darkën e tij të fundit, pasi i lau këmbët apostujve iu tha ‘ju dhashë shembull; që sikurse ju bëra unë juve, të bëni edhe ju. Përfaqësuesit e popullit duhet të jenë shembull për popullin.
Ngjallja e Krishtit na jep shpresë dhe shpresa nuk na bën optimistë, por na jep kurajë për të përballuar problemet dhe na bën të aftë për t’u angazhuar për një shoqëri më të mirë. Ju uroj nga zemra paqen e gëzimin e Krishtit! Gëzuar!”, tha Frendo.