Numri i aktivistëve për mbrojtjen e mjedisit që janë arrestuar për tetë ditë nga policia britanike të hënën ka shkuar në 1000.
Lajmin e bëri të ditur policia, e cila gjithashtu njoftoi se ura “Waterloo” është rihapur për qarkullimin e veturave pasi ishte bllokuar më parë nga protestuesit.
Grupi për mbrojtjen e klimës “Extinction Rebellion” i ka bërë cak disa zona në qendër të Londrës për të protestuar në mënyrë paqësore. Pjesë e protestave ka qenë edhe vendosja e drunjve dhe objekteve të ndryshme në rrugë, gjë që ka ndikuar që policia të ndërhyrë dhe t’i arrestojë qindra protestues.
Zyrtarët policorë njoftuan se deri tash janë arrestuar 1065 protestues dhe ndaj 53 prej tyre janë ngritur akuza për prishjen e rendit publik dhe pengimin e trafikut në autostradë.
Policia u ka bërë thirrje protestuesve që të vendosen në “Marble Arch”, ku ata do të lejohen të protestojnë të qetë.
Aktivistja adoleshente nga Suedia, e cila është bërë e famshme për grevën e saj para parlamentit suedez, e mbajti një fjalim para protestuesve të dielën, duke kërkuar nga ta që asnjëherë të mos dorëzohen nga fushata e tyre për ta mbrojtur planetin, shkruan “Reuters”.