Vendosni fjalën kyçe....

Zbulohet kush janë 4 të ndaluarit për grabitjen në Rinas


Zbulohet identieti i katër personave të ndaluar dje, të cilët besohet se kanë modifikuar furgonin e përdorur në grabitjen e ndodhur në Rinas, që mbante mbishkrimin Hetimi Tatimor.

Të arrestuarit janë shtetasit Renaldo Sula, Saimir Çela, Alkond Bengasi, dhe Oltjon Veseli nga Fushë-Kruja.

Mëngjesin e të djelës, policia zhvilloi një operacion në Tiranë, Elbasan dhe Fushë Krujë për ndalimin e katër të dyshuarve, të cilët mendohet se janë përfshirë në grabitje jo në mënyrë të drejtpërdrejtë, por duke ndihmuar grabitësit.

Dy prej tyre dyshohet se kanë punuarpër modifikimin e furgonit tip “Volsvagen”, ndërsa Veseli dyshohet të ketë ndihmuar autorët e grabitjes për t’u larguar. Personi i katërt nga Fushë Kruja dyshohet të jetë përfshirë në grabitje, gjithashtu duke ndihmuar në largimin e grabitësve.

Grabitja e Rinasit ndodhi më 9 prill, ku disa persona të armatosur u futën në pistën e aeroportit të Rinasit dhe morën nga avioni i linjës Tiranë-Vjenë i Austrian Airlines disa milionë euro, shumë që nuk është zbuluar ende.

Një nga grabitësit u gjet u vrarë pranë vendit të ngjarjes ndërsa është ende mister nëse është qëlluar nga policia apo nga shokët e tij.

Furgoni me mbishkrimin “Hetimi Tatimor” konsiderohet me rëndësi nga grupi hetimor, pasi aty grabitësit  kanë lënë mjaft prova, nga gjurmët e gishtave, deri të fijet e flokëve. Ekspertiza e tyre mund të çojë tek grabitësit.

DETAJET E POLICISË

Vazhdon veprimtaria hetimore për zbardhjen e plotë të ngjarjes së ndodhur më datë 9 prill në Rinas.

Në pranga katër persona si autorë të dyshuar të përfshirë në këtë ngjarje.

Në vijim të veprimeve të kryera nga një grup i posaçëm hetimor me Specialistët më të mirë të Hetimit të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë dhe të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit nën drejtimin e Prokurorisë për Krime të Rënda, për zbardhjen e ngjarjen së datës 09.04.2019, ku janë vjedhur me armë një sasi e kosiderueshme vlerash monetare në aeroportin e Rinasit dhe mbeti i vrarë një nga autorët e kësaj ngjarje shtetasi Admir Murataj, ju informojmë se:

Grupi i Posaçëm Hetimor nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, në bazë të veprimeve hetimore të kryera dhe informacioneve të marra në rrugë operative, si dhe provave të siguruara gjatë hetimit është bërë i mundur ndalimi i katër autorëve të dyshuar si të përfshirë në këtë ngjarje dhe konkretisht:

• O. V., 38 vjeç, banues në Krujë;

• A. B., 34 vjeç, banues në Elbasan, me banim të përkohshëm në Tiranë, i dënuar më parë për “Prodhim dhe shitje narkotikësh”;

• R. S., 25 vjeç, lindur dhe banues në Elbasan;

• S. Ç. 28 vjeç, lindur në Kajan Elbasan dhe banues në Elbasan.

Gjatë operacionit për ndalimin e këtyre shtetasve janë përdorur teknika speciale hetimore dhe janë përfshirë strukturat operacionale të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, të Drejtorive Vendore të Policisë Tiranë, Elbasan dhe Durrës.

Gjithashtu gjatë kontrolleve janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale, prova të shumta të cilat do të shërbejnë për thellimin e hetimeve dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Materialet proceduriale në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë për veprën penale të “Vjedhjes me armë të kryer në bashkëpunim” në kuadër të “Grupit të Strukturuar Kriminal”, ”Mbajtjes pa leje e armëve dhe municioneve luftarake” “Vrasje e Punonjësve të Policisë e kryer në bashkëpunim e mbetur në tentativë”../Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *