Vendosni fjalën kyçe....

“Billboard” shkruan për këngëtaret shqiptare: Pse janë në krye të klasifikimeve botërore


“Billboard” u ka kushtuar një artikull këngëtareve shqiptare të cilat momentalisht po qëndrojnë në krye të klasifikimeve botërore me këngët e tyre. Në shkrim flitet për natyrën e shqiptarëve për të ndjekur ëndrrat dhe ambiciet e mëdha.

Revista prestigjioze e nis shkrimin me Bebe Rexhën dhe nominimet e saj në “Grammy-s”. Më 8 dhjetor të 2018-ës, Bebe Rexha publikoi një fotografi të saj dhe Dua Lipës me titull: “Dy vajza shqiptare u nominuan për 2 çmime Grammy. Për të gjitha vajzat shqiptare dhe të gjitha vajzat anembanë botës, çdo gjë është e mundur, kështu që rendni pas ëndrrave tuaja”.

Dhe më 28 janar ajo ftoi dhe dy talente të tjera shqiptare për të bashkëpunuar:“Unë dua një bashkëpunim me dua Lipën, Rita Orën dhe Ava Max.”

Postimet e Rexhës treguan një rritje të artisteve shqiptare në “Billboard Hot 100” në vitin e kaluar. Vetë Bebe theu rekordin për shumicën e javëve duke mbajtur numrin 1 në Listën e “Hot Country Songs – 50” me këngën “Meant To Be”, që e këndon me Florida Georgia Line.

Lipa nga ana tjetër kryesoi “Top 40” për katër javë me këngën “New Rules”, ndërsa Ora kishte dy këngë në “Dance Club Songs Top 10”. Ava Max nga ana tjetër hyri në 20-tëshen e parë të “Hot 100” me këngën “Sweet but Psycho”.

Të gjitha vajzat i kanë prindërit shqiptarë, edhe pse vetë kanë lindur diku tjetër: Ora në Jugosllavi (Kosova e sotme), Rexha në Brooklyn, Lipa në Londër, dhe Max në Milwaukee.

Kantautorja tjetër me origjinë shqiptare Njomza, e cila ka shkruar me Ariana Granden këngët “Thank U, Next” dhe “7 Rings”, është një tjetër artiste e cila po korr sukses.

E lindur në Gjermani dhe e rritur në Çikago, Njomza thotë se tranzicioni i Shqipërisë nga sundimi komunist në një demokraci në fillim të viteve 1990, ushqeu përparimin krijues të brezit të saj.

 “Nëse ka diçka që po e nxit këtë, është ambicia që kemi si komb,” thotë ajo.

Max nga ana tjetër thotë: “Nëna ime gjithnjë më thotë se ne jemi kështu për shkak se jemi shqiptarë. Ne jemi pak të çmendur dhe kurrë nuk heqim dorë. Është në gjakun tonë. “

Sipas Njomzës, Shqipëria është një vend që po përparon pasi ka një komunitet këngëtarësh shumë të suksesshëm jo vetëm në vend por edhe nëpër Europë. Ndërsa veçon Lyrical Son, Capital T dhe Dafina Zeqirin.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *