Pas Mediut dhe Dukës, edhe kreu i PDK-së Nard Ndoka dhe ai i PBDNJ-së Vangjel Dule, kanë firmosur marrëveshjen për koalicionin opozitar me kreun e Partisë Demokratike Lulzim Basha.
Sipas Ndokës, ky ishte një hap drejt zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
“Unë e falenderova edhe liderin demokrat, edhe PD për faktin që ka ruajtur mozaikun e vlerave të pafaqësimit. Sot Rama ndodhet i vetmuar pavarësisht se ka thirrur disa parti që nuk i ka përjashtuar akoma në koalicion. Ndryshe nga e majta e çoroditur, kemi ngritur një ekip në një kohë që Rama po tenton të garojë me një ekip me të cilin dështoi në parlament. I bëj thirrje zotit Rama të kuptojë realitetin e politikë shqiptare, dhe që opozita është garancia e këtij sistemi. Jemi të vendosur të zhvillojmë zgjedhje të lira pa Ramën kryeminsitër, për të hapur një axhendë europiane”, u shpreh Ndoka.
Kreu i PR-së Fatmir Mediu është aleati i parë që ka nënshkruar marrëveshjen për koalicionin opozitar me kreun e PD-së Lulzim Bashën.
Takimi i Lulzim Bashës me aleatët ka nisur rreth orës 09:00. Pas Mediut, ka firmosur edhe Agron Duka, kreu i PAA-së.
Veç Bashës, në takim është edhe Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi, të dy të mandatuar nga Këshilli Kombëtar i PD-së për hartimin e një marrëveshjeje, e cila ka për synim përcaktimin e elementëve bazë për zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme dhe më kryesorja, krijimi i një qeverie tranzitore.
Në marrëveshjen që do duhet të marrë dakordësinë e të gjithë aleatëve opozitarë, do të përcaktohen edhe afatet që opozita sugjeron për funksionimin e qeverisë tranzitore.
Disa nga partitë që pritet të nënshkruajnë marrëveshjen janë: LSI, PR, LZHK, PBDNJ, PAA, PDK, PDIU. Sakaq sipas “News 24”, në marrëveshjen që do firmoset ka 10 pika kryesore.
Marrëveshja e koalicionit opozitar ka 10 pika:
- Krijimi i një koalicioni të bashkuar opozitar qytetar për zgjedhjet e ardhshme në vend
- Partitë nënshkruese të këtij koalicioni do të regjistrohen në zgjedhje vetëm pasi të jenë krijuar kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme
- Rruga e vetme për krijimin e zgjedhjeve të lira është një qeveri tranzitore me mandat të posaçëm
- Partitë e koalicionit opozitar nuk do të lexojnë asnjë farse elektorale
- Pamundësimi i zgjedhjeve farse të diktuara nga pakti i Ramës me krimin
- Rikonfirmojmë vullnetin tone se BE është rruga e vetme për ti dhënë fund tranzicionit
- Angazhohemi për një marrëveshje për çlirimin e ekonomisë nga oligarkia
- Angazhohemi për lufte pa kompromis ndaj krimit të organizuar
- Mbështesim liritë dhe të drejtat themelore të qytetareve të cilët dhunohen nga veprimet arbitrare te institucioneve shtetërore
- Angazhohemi për çdo individ apo parti te identifikuar si opozitare