Ish-deputeti i PD Edmond Spaho shprehet se qëndrimi i opozitës sa vjen dhe po përshkallëzohet më tepër, ndërsa thekson dhe një herë vendimin se ata nuk do të futen në zgjedhjet e 30 qershorit me Ramën kryeministër.
‘Qëndrimi ynë po vjen duke u përshkallëzuar. Opozita është sot mazhoranca reale. Kemi përshkallëzuar qëndrimin tonë këto ditë, duke deklaruar se nuk regjistrohemi në zgjedhje për sa kohe të realizohen kushtet. Ne nuk jemi kundër mbajtjes së zgjedhjeve vendore. Ne do të ishin të gatshëm të hynim në çdo palë zgjedhje pa Edi Ramën’, tha Spaho në A2 News.
Më tej, ish-deputeti i PD shprehet se duke filluar nga dita e enjte ata do të bllokojnë rrugët dhe akset kombëtare për 1 orë fillimisht.
‘Por zgjedhjet e 30 qershorit tashmë janë djegur, nuk ka më kohë për t’u mbajtur. Ne nuk po bojkotojmë, por duam kushte për mbajtjen e zgjedhjeve. Ne do të vazhdojmë me protesta dhe ato do të përshkallëzohen. Duke filluar nga e enjtja do të fillojmë me bllokimin e rrugëve, akseve kombëtare në të gjithë vendin për një periudhë kohe të caktuar, një orë. Më vonë, do të rritet edhe koha e bllokimit’, përfundoi Edmond Spaho.