Lëvizja Vetëvendosje është regjistruar zyrtarisht në Tiranë. Gjykata e Tiranës e ka marrë vendimin javën e kaluar për ta miratuar regjistrimin e Qendrës “Lëvizja Vetëvendosje” në Shqipëri me statusin e organizatës jo fitimprurëse (OJF).
VV e vlerëson këtë vendim të marrë bazuar mbi ligjet dhe shtetin e së drejtës. Drejtori ekzekutiv i “Lëvizja Vetëvendosje” në Shqipëri , Bojken Abazi, thotë se ky akt është vazhdimësi e aktivitetit të VV-së disa vjeçar në Republikën e Shqipërisë, por tashmë në një formë të re.
“Javën e kaluar, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka marrë vendimin për ta miratuar regjistrimin e Qendrës “Lëvizja VETËVENDOSJE! në Shqipëri” me statusin e organizatës jo fitimprurëse (OJF). Ne e vlerësojmë këtë vendim të marrë bazuar mbi ligjet dhe shtetin e së drejtës.
Ky akt është vazhdimësi e aktivitetit tonë disa vjeçar në Republikën e Shqipërisë, por tashmë në një formë të re. Në qëllim dhe motiv, në parim dhe veprim, përmes këtij themelimi ne do të angazhohemi për aspiratën shekullore të shqiptarëve për bashkim kombëtar, ashtu siç shprehet edhe në Preambulën e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, bashkë me përpjekjen për një shtet zhvillimor që lufton pabarazitë e mëdha ekonomike qe janë krijuar”-shkruan në një postim në Facebook drejtori ekzekutiv Bojken Abazi.