Vendosni fjalën kyçe....

Domatet e shalqinjtë me hormone e stimulantë, fermerët s’i hanë as vetë (VIDEO)


Në emisionin investigativ “Fiks Fare” u publikua rasti i fruta-perimeve të prodhuara në Kuçovë dhe në Berat, për të cilat fermerët përdorin stimulantë dhe hormone dhe madje kanë frikë t’i konsumojnë edhe vetë.

Madje, fermerët vijonin t’i lyenin për skuqje nga jashtë. Ndërkohë bima e shalqirit, me anë të hormoneve skuqet për 10 orë. Për këto produkte, gazetarët shkuan drejtpërdrejt te fermerët, duke u bërë një pyetje të thjeshtë: A i konsumojnë vetë? Përgjigjja e tyre ishte: Jo!

Fillimisht gazetarët pyetën një agronom në Lushnje, se te cilat sera të drejtoheshin për domate pa hormone. Agronomi pohoi se në të gjitha serat përdoren hormone dhe ngjyrues, madje jashtë normave.

“Hormoni lejohet në të gjithë botën, por te ne, nga kati i parë duan ta çojnë në kat të pestë bimën”, shprehet ai.

Në Fier-Shegan, një shitëse tregon se edhe pse i shet, vetë nuk konsumon asgjë nga ato që tregton.

“Nuk fus në shtëpi as kastravec, as domate. Nuk ia vlejnë, pasi fermerët abuzojnë duke u hedhur 4- fishin e normës. Kastravecit ia hedhin ilaçin te rrënja dhe është shumë i dëmshëm për organizmin”, tregon ajo.

Në fshatin Kozare të Kuçovës, një fermer thotë se në të gjitha serat që janë në fshat, askush nuk ka domate “pa hile”.

“Nëse i do për fëmijë, mos merr. Nuk bëjnë, ose vetëm t’i sëmurësh me duart e tua”, i drejtohet ai gazetarit.

Ndërkohë që të gjithë fshatarët kanë sera dhe kanë mbjellë në to domate, por askush nga ata vet nuk i konsumon.

“Unë jam fshatar vetë, por kam frikë t’i ha”, pohon një fermer. “Filloj e ha nga fundi i majit kur ngrohet koha dhe piqen natyralisht”.

Ndërkohë, një tjetër banor i fshatit, i pyetur nëse mund t’i orientonte gazetarët në një serë të mirë për të blerë domate, ai përgjigjet se asnjë fermer në fshat nuk ka domate të sakta, pa hormone.

“Ta them me plot bindje se në Kozare është problem për të ngrënë perime”, thotë ai.

Në të gjithë fshatin, gazetarët i drejtuan vetëm te një fermer që nuk u hidhte hormone domateve. Rrugës për ta gjetur atë, pyesin një tjetër banore të fshatit për domate “të sakta” se ku mund t’i gjenin ato.

Ajo i drejton tek i njëjti fermer që i kishin orientuar edhe më parë gazetarët, se për domate të tjera ajo kishe serë vetë, por që nuk mund t’ua shiste, pasi ato ishin me hormone.

“Unë kam serë vetë, jam vetë e fushës, por ik tani se mund të thoja hajde se t’i jap unë”, u thotë ajo gazetarëve të “Fiks Fare”. Te dyqani që i kishin orientuar gazetarët, pyesin shitësin dhe ai ua pohon se domatet të gjithë i kanë me hormone.

Për të mos e thënë drejtpërdrejt, pyetjes së gazetarit ai i përgjigjet me një tjetër pyetje: “Pse po kthehen gjithë ato trajlera në Doganë?”

Kurse një tjetër fermer pohon se këto hormone i bëjnë keq organizmit të njeriut dhe fermerët me papërgjegjshmërinë e tyre po sëmurin njëri-tjetrin, madje ai shton “po u shpiket kanceri njerëzve nga abuzimi”.

VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e Top Channel


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *