Vendosni fjalën kyçe....

FRAZA IDENTIKE – A po imitojnë Ramën, Rudina me Astritin?


Astrit Patozi dhe Rudina Hajdari, duket se përdorin të njëjtën retorikë si kryeministri Edi Rama. Në një kohë kur Patozi ka deklaruar krijimin e një partie të re të quajtur “Bindja Demokratike”, ai ka përdorur të njëjtën frazë si Rama muaj më parë.

Gjatë një interviste në televizionin ABC News, e para intervistë e tij si drejtues i një grupi politik, Patozi tha se në postin e ri do të ndihet si Ronaldo në kohën kur shkoi te Juventuas pas një periudhe të gjatë në Madrid.

“Kjo është një gjë që nuk e kisha menduar më parë, por kam përshtypjen se është si ndjesia e Ronaldos kur ka shkuar te Juventus pasi qëndroi te Real Madridi për një kohë të gjatë. Janë gjëra që ndodhin në jetë”, tha Patozi.

Kujtojmë se kryeministri Rama, gjatë një interviste për televizionin RAI e krahasoi veten me yllin e Juventusit. Ndërsa fliste për protestat e opozitës, Rama tha se nuk do të mund të hedhë pushtetin e tij vetëm për kapriçon pse ai është më i miri, njësoj si Ronaldo.

“Është sikur të kërkosh nga Juventus, meqë është shumë i fortë, të pranojë që formacionin t’ia bëjnë të tjerët, jo trajneri i tyre dhe që kampionati të nisë sërish nga fillimi… pa Ronaldon”, thotë Rama për veten.

Patozi nuk është i vetmi që duket se përdor të njëjtat fraza me Ramën. Edhe Rudina Hajdari, e cila ka dy vite në politikë, ka përdorur të njëjtat shprehi me Ramën. Pak ditë më parë, Hajdari tha se bojkotimi i zgjedhjeve do të ishte një vetëvrasje politike.

“Ne nuk jemi dakord me bojkotimin e zgjedhjeve, si një alternative opozitare, kundër cilësdo qeverie, sado e kompromentuar & e korruptuar qoftë ajo. Ne e konsiderojmë atë si vetëvrasje politike. E vetmja rrugë për të ndryshuar pushtetin në një vend demokratik janë zgjedhjet”-shkruan ajo.

 

Edhe kryeministri Rama, ka përdorur të njëjtat fjalë pas nënshkrimit të marrëveshjes së koalicionit opozitar.

Në një status në Twitter, Rama e quan koalicionin një vetëvrasje politike.

“Pas djegies së mandateve, koalicioni kundër zgjedhjeve një tjetër formë e padëgjuar vetëvrasjeje politike! Humbësit kronikë janë peng i dëshpërimit të tyre, po Shqipërinë s’e marrin dot peng. Zgjedhjet as ndalen as shtyhen. Në 30 qershor qytetarët do flasin me votë në çdo bashki.”, shkruan Rama. Kështu, retorika e përdorur nga këta dy politikanë, duket se shkon në të njëjtën linjë me retorikën e përdorur nga Rama.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *