Vendosni fjalën kyçe....

Klajda Gjosha: Zgjedhjet monopartiake, tjetër vetëvrasje për Shqipërinë


Ish-ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha, ka folur për marrëveshjen e nënshkruar nga PD dhe LSI për koalicionin opozitar.

Në një intervistë për “Telegraf“, Gjosha tha se në marrëveshje identifikohen problemet politike dhe zgjidhjet e tyre.

” Sot koalicioni opozitar ka firmosur një marrëveshje të rëndësishme, e cila jo vetëm identifikon problemet kryesore me të cilat ndeshet vendi, por edhe zgjidhjen e tyre. Rikonfirmohet edhe një herë qëndrimi i palëkundur, se zgjedhje farsë, të manipuluara dhe të drejtuara nga njerëz përgjegjës për këtë situatë nuk mund të ketë. Gjithashtu, në kuadër numerik kjo marrëveshje i siguron opozitës një shumicë absolute në çdo moment që do të krijohen kushtet e nevojshme për t’u bërë pjesë e zgjedhjeve me standarde demokratike në vend. Procesi i firmosjes së koalicionit opozitar, patjetër që do të drejtohej nga partia më e madhe e opozitës që është PD, e cila e pa me vend faktin që të respektonte të gjithë aleatët e saj duke i dhënë peshën e duhur në tryezë.”, tha Gjosha.

Mes të tjerash, ish-ministrja u pyet edhe për zgjedhjet vendore, për të cilat tha se nuk mund të bëhen pa opozitën.

Gjosha tha se zgjedhjet monopartiake do të jenë një tjetër vetëvrasje për Shqipërinë.

” Nuk mund të ketë zgjedhje as vendore dhe as parlamentare pa qytetarët. Partitë e vërteta opozitare janë jashtë listave të zgjedhjeve ndaj qytetarët janë të pa përfaqësuar. Zgjedhjet monopartiake dhe të ashtuquajtura ‘legjitime’ pa spektrin e vërtetë përfaqësues opozitar do të ishin një vetëvrasje tjetër për Shqipërinë dhe standardet demokratike. Pushteti nuk mund të mbahet me dhunë, sado e dhimbshme të jetë për disa politikanë që të lënë karriget e tyre!”, tha Gjosha.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *