Vendosni fjalën kyçe....

Meta pret komunitetin shqiptar që jeton në Kroaci: Lidhjet tona të thella


Presidenti Meta ka pritur sot një grup nga Arbanasit e Zarës në Kroaci. Ata ndodhen në një vizitë disa ditore në Shqipëri.

Kreu i Shtetit i vlerësoi për vizitën ndërsa vlerësoi kontributin e shkëlqyer që komuniteti shqiptar në Kroaci ka dhënë dhe vazhdon të japë për forcimin e marrëdhënieve të shkëlqyera historike, kulturore, politike dhe njerëzore mes dy popujve dhe vendeve tona.

“Jam shumë i lumtur që keni ardhur në Shqipëri, sepse ende i kam të gjalla ato përshtypje të shkëlqyera nga mikpritja juaj në Zadar. Ka qenë një vizitë e mrekullueshme për mua, por edhe për Presidenten e Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitarović, të cilën e falënderoj edhe njëherë për praninë e saj në atë vizitë.” – tha Meta.

“Gjithashtu falënderoj ambasadoren e Kroacisë, znj. Sanja Bujas-Juraga, e cila u bashkua me ne sot në këtë takim. Prania e saj është jo vetëm nder, por edhe tregues i vlerësimit dhe shprehje e miqësisë e lidhjeve të thella që bashkojnë në mënyrë të pandashme dy popujt tanë. Ju, Arbanasit e Zadarit, por edhe komuniteti shqiptar në tërësi që jeton në Kroaci, jeni faktori më i fortë njerëzor që bashkon popujt tanë. Marrëdhëniet me Kroacinë janë një prioritet i jashtëzakonshëm dhe tani që kemi nënshkruar dhe Marrëveshjen e Partneritetit Strategjik midis dy vendeve jam i bindur se ato do të forcohen edhe më shumë”, – tha ndër të tjera Meta.

E pranishme në takim ishte dhe Ambasadorja e Kroacisë në Tiranë, Sanja Bujas-Juraga, e cila gjatë fjalës përshëndetëse e cilësoi takimin si një impuls të ri të marrëdhënieve historike mes vendeve të popujve tanë.

“Jam thellësisht e lumtur për këtë takim, që i jep një impuls të ri marrëdhënieve historike mes vendeve e popujve tanë. Shqipëria është një vend shumë i dashur për mua, i përkryer dhe padyshim një destinacion i jashtëzakonshëm turistik”. –u shpreh ajo.

Delegacioni i Arbanasve të Zarës ka mbërritur në Shqipëri me ftesë të Presidentit Meta, i cili gjatë vizitës zyrtare të zhvilluar vitin e kaluar në Kroaci i ftoi Arbanasit e Zarës (Zadarit) të vizitojnë vendin e të parëve të tyre.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *