Seanca gjyqësore ndaj dy mjekëve në Elbasan të arrestuar si përgjegjës për vdekjen e 25-vjeçares Rexhina Debrova pas lindjes, është shoqëruar me protesta e tensione.
Familjarët e të ndjerës kërkojnë drejtësi para dyerve të Gjykatës, ndërsa kanë marrë në protestë edhe foshnjen e porsalindur.
Sipas babait të 25-vjeçares, Rexhina ka qenë mirë pas lindjes, madje vetë mjekët i kanë çuar foshnjen për t’i dhënë gji.
“Na sollën telefonin, urdhëroni beben, goca vdiq. Ka kërkuar ndihmë vajza. Ju lutem gazetarë, bëjeni punën siç duhet se edhe ju keni gra e vajza nëpër maternitete.”, thonë të afërmit e të resë.
Të afërmit e Debrovës pretendojnë se vdekja e saj ka ardhur si pasojë e neglizhencës së mjekëve.
Dy mjekë të qendrës spitalore në Elbasan janë arrestuar dy ditë më parë, pas ngjarjes së rëndë, ku 25-vjeçarja, Rexhina Debrova, ndërroi jetë një orë pasi lindi vajzën e saj.
Dy mjekët e arrestuar janë ranimatori Nikollaq Thano dhe kardiologu Mehmet Ibaj.
25-vjeçarja humbi jetën një orë pasi lindi vajzën, ndërsa spitali në një reagim për mediat, sqaroi se vdekja e saj erdhi si shkak i një komplikacion postoperator trombemboli pulmonare, e cila i solli edhe vdekjen.
Por të afërmit e të ndjerës, fajësojnë mjekët për neglizhencë. Sipas tyre mjeku kardiolog mbërriti me vonesë./Hashtag.al