Tre ditë pas sulmit me bombë në dy kisha dhe hotele gjatë të djelës së Pashkëve, janë identifikuar tetë prej autorëve të dyshuar.
Ministri i Mbrojtjes në Sri Lanka, tha në një konferencë për shtyp se sulmet me bombë janë bërë nga 9 persona, mes të cilëve një grua, shkruan “Mirror“.
Ministri Ruwan Wijewardene tha se autorët e kësaj tragjedie vinin nga familje të shëndosha, ku ka theksuar se kanë qenë të mirëarsimuar në universitete jashtë vendit.
“Shumica e tyre janë të arsimuar mirë me shkollë të mesme ose të lartë, kështu që kanë qenë financiarisht të pavarur dhe familjet e tyre kanë pasur një stabilitet financiar. Ne besojmë se një nga autorët ka studiuar në UK dhe ka bërë specializime në Australi”, tha ministri i Brendshëm.
Më herët, një tjetër zyrtar tha se zyrtarët e lartë të shërbimit të fshehtë qëllimisht fshehën informacionin e marrë përpara shpërthimeve dhe se zyrtarët e lartë të sigurisë nuk arritën të vepronin pas paralajmërimeve.
Grupi terrorist ISIS ka marrë përgjegjësinë për shpërthimet në hotele dhe kisha të cilat kanë vrarë deri më tani të paktën 359 njerëz. Ky është konsideruar si sulmi më vdekjeprurës ndonjëherë në Azinë Jugore dhe ka të ngjarë të jetë sulmi më vdekjeprurës ndonjëherë i lidhur me grupin terrorist.
Sipas zyrtarëve, mes 9 terroristëve ishte edhe një grua e cila shpërtheu veten duke vrarë dhe tre fëmijët e saj, kur policia bastisi në shtëpinë e tyre luksoze pasi i shoqi kishte vrarë mysafirët në një hotel luksoz.