Kreu i PD-së, Lulzim Basha në një lidhje telefonike në emisionin “Të paekspozuarit” në News 24 foli pas protestës së zhvilluar në 5 Qarqe, ku u bllokuan rrugët. Ai i mëshoi edhe njëherë tezës se nuk kërkon pushtet në tavolinë, por në anën tjetër është i vendosur për krijimin e një qeverie tranzitore.
Basha tha se opozita e tij e një platformë të qartë se si mund të funksionojë qeveria tranzitore. Ai madje shtoi se kanë gati një dokument që do ta diskutojnë me gjithë grupet e interesit.
“Opozita nuk kërkon pushtet në tavolinë. Beteja për pushtet bëhet në zgjedhje, kjo betejë bëhet për t’i dhënë fund gjendjes së grushtit të shtetit ku ndodhemi, pa Gjykatë të Lartë, pa Gjykatë Kushtetuese me prokuror antikushtetues, me korrupsion rekord qeveritar.
Jemi në rekordet e krimit të organizuar, shteti i kapur nga krimi i organizuar, pra në gjendje kolapsi total: krizë kushtetuese dhe politike e pastaj vijnë kriza politike dhe sociale. Kërkojmë të kthejmë themelin e bashkëjetesës demokratike: votën e lirë.
Zgjedhjet e ardhme janë të domosdoshme për të kthyer legjitimitetin, formula e vetme është që kujdestar i tyre s’mund të jetë ai që i ka kapur këto zgjedhje, ndaj edhe kushti ynë është një qeveri tranzitore. Që të shkojmë në zgjedhje do të duhet një qeveri që respekton ligjin në radhë të parë. ne nuk duam pushtet në tavolinë. Beteja është për të sjellë standarde normale, rregulla loje evropiane”-tha ai.
“Edi Rama nuk mund të jetë kryeministër i asnjë palë zgjedhjeve më. Ky njeri nuk mund të jetë më në krye të qeverisë pasi aty i dhunon zgjedhjet. Sa i përket qeverisë tranzitore, me largimin e Ramës hapet rruga për një pakt politik të ri me përfshirjen e të gjitha partive politike, përfshi këtu edhe PS. Ka një dokument për krijimin e qeverisë tranzitore. Kemi platformë edhe për të. Do ju ftojmë ju ta diskutojmë dhe të gjitha grupet e interesit. Kemi gjithë vizionin për ta shpalosur”-deklaroi Basha.