Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi ka deklaruar nga protesta në rrethrotullimin e “Plepave” se ka një pjesëmarrje masive nga qytetarët ku dhe theksoi se mosbindja civile nuk ka filluar akoma duke i bërë thirrje Ramës se nuk ka parë akoma revoltën e shqiptarëve.
“Ka një pjesëmarrje të madhe, kanë ardhur kaq shumë njerëz dhe duke menduar që kjo është një nga rrugët kryesore. Sot Shqipëria merr mesazh dhe shpërndan atë ndjenjë proteste që bëjnë qytetarët në protestat e Tiranës, tashmë shpërndahen në të gjithë Shqipërinë, për të gjithë ata që nuk e kanë mundësinë financiare për të ardhur në protestat që organizohen në Tiranë, sepse pjesa më e madhe ka qenë me qytetarët e kryeqytetit. Por, ne tashmë do të shpërndahemi në të gjithë Shqipërinë.
Nuk do të ndalemi. Befasia ndaj strategjisë që Edi Rama ka ndërtuar me krimin e organizuar për të uzurpuar shqiptarët do të jetë elementi kryesor i protestës së shqiptarëve. Këto nuk janë më protestat e opozitës, këto janë protestat e shqiptarëve. Sot nuk ka rrugë tjetër, o do të jesh me qytetarët, o do të jesh me krimin e organizuar.
Është paralajmërimi për Ramën. Akoma nuk ka filluar. Akoma nuk ka filluar mosbindja civile. Akoma Edi Rama nuk e ka parë revoltën e shqiptarëve. Ka vetëm 9 javë për të kuptuar se çfarë ka ndodhur ndërkombëtarët”-deklaroi Kryemadhi.