Partia Demokratike ka deklaruar se në datën 30 qershor nuk do ketë zgjedhje lokale në vend.
Në një deklaratë për mediat, Sekretari i Përgjithshëm, Bardhi, tha se opozita e bashkuar do bllokojë sot 5 akset kryesore në vend ndërsa më 30 qershor do pamundësojë zgjedhjet.
Bardhi theksoi se kërcënimet e kryeministrit Rama nuk trembin asnjë dhe se e vetmja rrugë për Shqipërinë janë zgjedhjet e lira e të ndershme.
Deklarata e Bardhit
Sot, opozita dhe qytetarët do të jenë sërish së bashku në të njëjtën kohë, në orën 18.00, në të gjithë Shqipërinë për të demonstruar se një qeveri e paralizuar nga krimi dhe e krimbur nga korrupsioni i ka bllokuar Shqipërisë rrugën e saj europiane.
Së bashku me mijëra qytetarë, ne do të ndalojmë makinat dhe do të kërkojmë që Kryeministri i votave të blera me paratë e bandave dhe krimit të organizuar të mos ketë më mundësi të shkatërrojë jetën e familjeve shqiptare, duke grabitur me babëzi të pakufishme çdo pasuri të këtij vendi.
Edi Rama, i keqpërdoruri i tij dhe i krimit, Taulant Balla, si dhe çdo shërbëtor tjetër i tij brenda dhe jashtë parlamentit të krimit, e dinë fare mirë se zgjedhje më 30 Qershor nuk ka për të patur.
Një qeveri ilegjitime, me një kryeministër ilegjitim, që brenda pak viteve e shndërroi Shqipërinë në një narkoshtet, nuk mund të organizojë zgjedhje të lira e të ndershme.
Alternativa e vetme e Edi Ramës sot është sulmi kundër opozitës dhe qytetarëve! Është gazi lotsjellës në protesta, është gazi lotsjellës për të nxjerrë njerëzit nga shtëpitë, është falimentimi për bizneset, janë taksat vrastare për fermerët, janë mashtrimet për studentët, është papunësia për të rinjtë.
Nuk ka asnjë ide, asnjë program, asnjë punë me interes publik. Edhe kur nis të bëjë një punë, Edi Ramën nuk e drejton vizioni dhe ligji, por korrupsioni dhe antiligji. Pasi ka vjedhur votat, vjedh edhe taksat. Në qeverinë e Edi Ramës 1 kilometër rrugë kushton 20 milionë euro.
Edi Rama nuk punon në interes të shqiptarëve.
Shumica dërrmuese e qytetarëve sot jetojnë më keq sesa dje, sepse ata nuk janë në axhendën e qeverisë. Prioritet i Ramës janë kriminelët brenda dhe jashtë burgjeve, të cilët i kanë siguruar atij pushtetin.
Prioritet për Ramën janë një grusht oligarkësh dhe klientësh të oborrit të familjes së Edi Ramës, të cilët kanë kapur ekonominë, janë pasuruar me PPP dhe koncesione, duke e bërë më të rëndë jetën e shqiptarëve.
Të gjithë këta janë të paprekshëm, sepse Edi Rama ka kapur edhe drejtësinë.
Asnjë i ndëshkuar për vjedhjen e votave.
Asnjë i dënuar për korrupsion.
Asnjë i dënuar për lidhjet direkte të provuara me krimin e organizuar dhe trafikantë të dënuar droge.
Shqiptarët e kanë kuptuar këtë skemë grabitëse dhe rrënuese për familjet dhe fëmijët e tyre dhe janë të vendosur t’i japin fund kësaj gjendjeje. Sot, me ndalimin e makinave në të gjithë Shqipërinë, nesër me ndalimin e zgjedhjeve fallco.
Kërcënimet e një kufome politike si Edi Rama nuk trëmbin askënd! Rruga jonë është pa kthim! E vetmja rrugë e drejtë për Shqipërinë si Europa janë zgjedhjet e lira e të ndershme!