Petrit Vasili ka reaguar pas diskutimeve të sotme në Kuvend, për shit-blerjen e votave. Sipas Vasilit, të njëjtët persona që sot folën në Kuvend për fenomenin e shit-blerjes së votave dhe u zotuan ta ndalonin atë, janë të njëjtët që erdhën në pushtet përmes këtij fenomeni.
“Para pak minutash me pacipësinë që e karakterizon Parlamentin e Kujslingëve, në atë sallë që vjen erë guxuan të flasin për votën. Guxuan të diskutojnë dhe të thonë se do jenë ata që do zhdukin edhe shitblerjen dhe manipulimin e votës. Guxuan të thonë se janë ata zgjidhja.
Sot jam përpara jush për të sqaruar njëherë e përgjithmonë se çështë ky parlament dhe përse duhet të përgjigjet.
Në radhë të parë ky është një Parlament dhe Rilindja që e ka zaptuar atë forcërisht, në kundërshtim me Kushtetutën, është produkti më i shëmtuar dhe më i neveritshëm i shit-blerjes së votave në këtë vend. Këtë nuk e thotë vetëm opozita por dhe raporti i OSBE-ODIHR.”, tha Vasili, i cili më tej kërcënoi maxhorancën me burg.
“Nga kjo foltore po i njoftoj njëherë e përgjithmonë, burgu i pret vetëm ata, qoftë dosja 339, qoftë Unaza e Re, qoftë Bregu i Lumit, qoftë koncensionet.”, janë fjalët e Vasilit.
Sot kreu i grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, i bëri thirrje grupit të ri në Parlament që të nisë punën për reformën zgjedhore, ndërsa akuzoi LSI-në për vjedhje të votave.