Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, është takuar sot me Raportuesit për Shqipërinë në Grupin Parlamentar CDU/CSU në Bundestagun gjerman, Christian Schmidt, i cili ka ardhur në Tiranë.
Basha bëri të ditur se takimi ka pasur të bëjë me zgjidhjen e krizës politike në Shqipëri dhe çështjet e demokracisë.
Gjatë një konference për mediat për shëndetësinë, Basha premtoi se gjatë mandatit të tij të parë qeverisës, do të rrisë pagat minimale për mjekët dhe infermierët.
Basha tha se paga e mjekëve do të shkojë në 1200 euro në muaj, ndërsa ajo e infermierëve do të shkojë deri në 700 euro në muaj.
“Dua të deklaroj sot nga kjo konferencë, vendimin dhe synimin e PD, që brenda 4-vjeçarit të parë të qeverisjes sonë, paga minimale për mjekët të arrijë në 1200 euro në muaj ndërsa paga minimale për infermierët të arrijë në 700 euro në muaj. Po e them se ky është realiteti në Kosovë. Ku ka vullnet politik asgjë nuk është e pamundur. Ku ka vullnet politik, ku paratë që zhduken pa lënë gjumë, mund të orientohen tek sektorët prioritarë dhe padyshim mjekësia është prioritare.
Ky pra është synimi, objektivi, qëllimi që do të realizojmë, 1200 euro për mjekët dhe 700 euro për infermierët, do të jenë pagat minimale për sektorin shëndetësor.”, tha Basha.