Pas publikimit të disa rasteve në media, lidhur me sigurinë ushqimore dhe përdorimin e pesticideve dhe hormoneve të rrezikshme për rritjen e shpejtë të fruta-perimeve, vjen reagimi nga Prokuroria e Përgjithshme.
Në njoftim thuhet se Prokuroria e Përgjithshme i ka kërkuar prokurorisë së Bertait të vlerësojë rrethanat dhe faktet e dyshuara që mund të përbëjnë vepër penale.
“Duke marrë shkas nga denoncimet e fundit të medias së shkruar dhe asaj vizive mbi sigurinë ushqimore, ditën e djeshme, Prokurori i Përgjithshëm i është drejtuar prokurorisë së Beratit si prokurori kompetente me një kërkesë të menjëhershme për vlerësimin ligjor të të gjitha rrethanave dhe fakteve të dyshuara që mund të përbëjnë vepër penale.
Përfitojmë nga rasti të falënderojmë median e njëkohësisht t’ju bëjmë thirrje të gjithë prokurorëve të ushtrojnë funksionet e tyre duke qenë të ndjeshëm dhe të vëmendshëm ndaj të gjitha burimeve të hapura të informacionit për ngjarjet sensibilizuese dhe me ndjeshmëri për opinionin publik.
Prokuroria e Përgjithshme, në mungesë të kompetencës për të nisur kryesisht hetime, në mënyrë të vazhdueshme u ka kërkuar të gjithë prokurorëve që pavarësinë e tyre ta vendosin në shërbim të zbatimit të ligjit për të rritur besueshmërinë e publikut.”, thuhet në njoftim.
Kujtojmë se dy ditë më parë, në emisionin investigativ “Fiks Fare” u publikua rasti i fruta-perimeve të prodhuara në Kuçovë dhe në Berat, për të cilat fermerët përdorin stimulantë dhe hormone dhe madje kishin frikë t’i konsumonin edhe vetë.
Për më tepër, bima e shalqirit, me anë të hormoneve skuqej për 10 orë (lexo këtu). Për këto produkte, gazetarët shkuan drejtpërdrejt te fermerët, duke u bërë një pyetje të thjeshtë: A i konsumojnë vetë? Përgjigjja e tyre ishte: Jo!