Nga Klodian Tomorri
Siguria ushqimore e ka ndarë publikun në dy pjesë. Një pjesë është e alarmuar për shkak të raportimeve të fundit në media, ndërsa një pjesë tjetër thotë se e gjithë kjo zhurmë është një komplot i madh dhe djallëzor kundër fermerëve.
Në thelb ky është një debat që zgjidhet thjesht fare. Mjafton t’i japësh përgjigje një pyetjeje. A e garantojnë strukturat dhe instirucionet tona të ngarkuara me ligj sigurinë ushqimore? Këtë përgjigje besojne e dinë të gjithë.
Korrupsioni dhe paaftësia e institucioneve që duhet të garantojnë sigurinë ushqimore praktikisht ka çuar në një situatë që në shkencën e ekonomiksit njihet me termin “market failure” ose ne shqip dështim tregu.
Në këtë rast dështimi i tregut ka formën e asimetrisë së informacionit që çon në humbje ekonomike. Çështja është e thjeshtë, kur në një treg ka asimetri informacioni mes shitësve dhe blerësve, ai treg është i destinuar të dështojë pa një arbitër të drejtë.
I pari që e kuptoi këtë ishte George Akerlof, i cili studioi tregun e makinave të përdorura në SHBA (Lemon Markets Theory). Ajo që Akerlof pa ishte se në treg kishte asimetri informacioni. Shitësit e dinin ça po shisnin, ndërsa blerësit nuk e dinin se çfarë makine po blinin.
Akerlof i ndau makinat e përdorura në dy grupe: të mira dhe defektoze. Por meqë blerësit nuk kanë informacion se cilat makina janë të mira dhe cilat defektoze ata ndryshojnë sjelljen përmes çmimit. Çfarë ndodh?
Supozojmë se një makinë e mirë vlen 10 mijë dollarë, ndërsa një defektoze vlen 5 mijë dollarë. Kur një blerës shkon për të blerë ai nuk e ka informacionin cila është makinë e mirë dhe cila është e keqe. Rrjedhimisht ai mban një çmim të fiksuar, zakonisht në mes të çmimit për makinat e mira dhe ato defektoze. Në rastin konkret 7 mijë dollarë.
Por nëse blerësi ofron 7 mijë dollarë, shitësi do i shesë vetëm makinën defektoze për 7 mijë dollarë, ndërkohë që të gjitha makinat e mira do të dalin nga tregu. Në afatgjatë kjo çon në përkeqësimin e cilësisë së produkteve dhe humbje ekonomike. Teoria e Lemon Markets ka marrë “Nobel” në ekonomi.
Kjo është ajo që ndodh me ushqimet në Shqipëri. Fermeri që shet produktet bujqësore apo tregtari që i importon ato e di çfarë po shet. Qytetari që ble jo. Rrjedhimisht në afatgjatë qytetarët do ulin blerjet dhe çmimin e blerjes, ndërsa fermerët për shkak të çmimit më të ulët do nxjerrin të gjitha ushqimet e mira nga tregu dhe do tregtojnë vetëm ushqime të cilësisë së ulët.
Këtë më vjen inat ta pranoj por kjo shmanget vetëm me arbitër. Dhe arbitri është shteti. Tani ne po paguajmë kostot e korrupsionit të AKU-se dhe shtetit, i cili mund të shkatërrojë komplet ekonominë bujqësore.