Vendosni fjalën kyçe....

“Loja me partitë”/ Zëvendësministri i Ramës futet me parti më vete në zgjedhje


Zëvendësministri i Arsimit në qeverinë e Edi Ramës nuk do të luftojë për socialistët, përkundrazi, ai ka futur  jo më larg se sot partinë e tij, “G-99” për zgjedhjet vendore, si kundërshtar i atij që drejton qeverinë, pjesë e së cilës është.

Redi Shtino, zv.ministër i Arsimit e ka marrë konfirmimin sot nga Komisioni Qëndror Zgjedhor.

“Për regjistrimin si subjekt zgjedhor “Partia G-99” për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të datës 30 qershor 2019”. KQZ vendosi të regjistrojë ‘Partia G-99’, me kryetar z. Redi Shtino, si subjekt zgjedhor për organet e qeverisjes vendore, të datës 30 qershor 2019.”, thuhet në vendim.

Por partia e Shtinos është një pikë e vogël në “detin” e partive të vogla që po mbijnë si kërpudhat pas shiut.

Astrit Patozi, imituesi besnik i retorikës së Ramës krijoi pak ditë më parë partinë “Bindja Demokratike”, me logo thuajse të ngjashme me Partinë Demokratike dhe në një kohë rekord, edhe pse një pjesë e juristëve parashikuan mungesën e hapësirës ligjore për një hap të tillë, mori konfirmimin nga KQZ-ja për futjen e tij në zgjedhjet vendore. Kundër këtij vendimi votoi kryetari i komisionit, Klement Zguri.

“Për regjistrimin si subjekt zgjedhor ‘Partia Bindja Demokratike’ për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të datës 30 qershor 2019”. KQZ vendosi të regjistrojë ‘Partia Bindja Demokratike’, me kryetar z. Astrit Patozi, si subjekt zgjedhor për organet e qeverisjes vendore, të datës 30 qershor 2019.”, thuhet në vendimin për Patozin.

Ivi Kaso, juristi i opozitës në rastet që ka shqyrtuar zakonisht KQZ-ja, thotë se “Bindja” nuk quhet ende parti dhe si e tillë nuk mund të regjistrohet për zgjedhje.

“Arsyeja pse Edi Rama vendosi qe te uzurponte KQZ, duke emeruar ne kundërshtim me ligjin 4 anetare nga PS, eshte qe, sa here ka zgjedhje, te shpikë rregullat e lojes sipas qejfit. Sot vendosi te rregjistroje Bindjen si opozite fasade, si patericen e tij ne zgjedhje me synimin per te zbehur mungesen e opozites se vertete.

Sot KQZ ka vendosur te regjistroje si parti politike ne zgjedhje, nje subjekt qe ligjerisht nuk konsiderohet parti politike, per shkak se vendimi i regjistrimit i shkalles se pare nuk ka marre forme te prere. KQZ, ka rrezuar edhe qendrimin e vet te meparshem per kete çeshtje, kur ne nje rast identik me votim 7 me 0 kishte vendosur mosregjistrimin e subjektit ne zgjedhje.”, argumenton Kaso.

Po të shohësh më në detaje vendimet e sotme të KQZ-së, për zgjedhjet në të cilat opozita nuk do të marrë pjesë konstaton edhe parti të tjera, të vogla, siç është ajo e Gjet Ndojit, ish-drejtori i Arkivës Qëndrore të Shtetit, i cili do të hyjë në zgjedhje me partinë “Partia Aleanca Arbnore Kombëtare”.

Sot janë konfirmuar për zgjedhjet edhe ‘Partia Aleanca e Maqedonasve për Integrim Europian’, me kryetar  Edmond Themelko,  ‘Partia Balli Kombëtar’, me kryetar  Adriatik Alimadhi, ‘Partia Aleanca Demokrate Shqiptare, me kryetar Eduart Abazi,  ‘Partia Shqipëria e Re’, me kryetar Oltion Kordha dhe ‘Partia Aleanca Popullore’, me kryetar Artur Dojaka./Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *