11 persona janë shoqëruar nga policia pas përpjekjes së tyre për të bllokuar eskortën e kryeministrit Rama në vizitën e këtij të fundit në Elbasan paraditen e sotme.
Ata akuzohen nga policia për prishje të rendit publik. Përplasja mes protestuesve dhe forcave të policisë ndodhi në rrugën Bradasheh-Elbasan, ku dhjetëra anëtarë të opozitës së bashkuar dhe qytetarë të Elbasanit, dolën në rrugë duke u përpjekur që bllokonin kalimin e kryeministrit.
Një ngjarje e ngjashme ndodhi edhe ditën e djeshme në Shkodër, ku shumë qytetarë dolën në rrugë për të penguar kreun e qeverisë që të futej në qytet, duke u përplasur me Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë që shoqëronin kryeministrin Rama.