Nga Hysni Gurra
Njeriu ushqehet 365 ditë të vitit, 3 herë në ditë. Gjatë këtij internerari kohor dhe jetësor, ushqimi i tij duhet të jetë i monitoruar nga institucioni të cilit ky njeri (konsumator) i paguan taksat për ta monitoruar.
Kur ka për qëllim t’i shërbejë publikut, këtë gjë mund ta bëjë çdo medium apo gazetar investigativ, i cili ka për interes, interesin publik.
Duke patur parasysh që mediume te ndryshme, këtë gjë e bëjnë me hope, diçka duket se shkon përtej interesit të publikut.
Në një vend, ku: shkelja e ligjit, korrupsioni, dhe shpërdorimi i detyrës nga shtetarët është kthyer në “ushqim të përditshëm”, rënia në rrjetën e emisioneve investigative të kokrës së domates apo shalqinit, duket paska e çuditshme.
Jo se siguria ushqimore është më pak e rëndësishme se aspektet e tjera të jetës në vend, por pyetja është: Vërtet janë kaq të përgjegjshme dhe kaq pranë interesit publik?
Sigurisht që jo!
Media po del nga roli i saj (interesi publik) në vende me demokraci shumë të zhvilluar, mendojeni vetë në Shqipëri. Është bërë biznes së pari, pastaj interesi i biznesit ka raste përkon edhe me interesin e publikut, ka raste është plotësisht në kah të kundërt me të.
“Invesitigime” të tilla, në Shqipëri ndodhin në periudha të caktuara kohore, nuk janë permanente, dhe fakti që këtu asgjë nuk ndryshon, tregon shumë.
Nuk mund të di nëse janë gjoba, shpërqëndrim vemendje e publikut nga një ngjarje e caktuar, sulm i pastër politik apo në funksion të ndonjë ppp-je për sigurinë ushqimore. Mëqënëse e përmenda këtë të fundit, jam absolutisht kundër një forme të tillë, në një vend si Shqipëria.
Por, sa kohë asgjë nuk ndryshon, nuk është çudi që zhurma, e cila krijohet herë pas here, mos të ketë për qëllim interesin e publikut, zgjidhjen e problemit, por të çojë ujë në njërën nga hamendësimet e mësipërme.
Në Shqipëri nuk ka siguri ushqimore! Dhe njerëzit kanë drejtë të kenë frikë. Detyra e autoriteteve përkatëse është të provojë me fakte të kundërtën e asaj që thotë media, që themi ne, dhe t’i heqë frikën njerëzve.
Fakti që nuk ka, na bën përgjegjës të gjithëve si shoqëri. Jemi shoqëri konsumatore me zero edukatë në të ushqyer. Ne nuk kemi zgjidhur akoma problemin me kequshqyerjen në vend. Por, sheh në mediume të ndryshme emsione dietologjie, këshilla dietologu dhe të krijohet përshtypja se këtu jetojmë në një shoqëri tepër aristokrate.
Nuk jam kundër, edhe pse nuk e perceptoj dot si shkencë dietologjinë, por shembullin e jap për të formuar pazëllin. Pra, brenda të njëjtës kuti (televizioni), një emision të shpie në humnerë, një tjetër të ngre piedestal, sa i përket cilësisë së të ushqyerit në vend. Për të thënë se, dukja me realitetin janë shumë larg.
Ashtu si media trajton dietologjinë, a thua se ai është problemi bazik, ashtu edhe institucionet mbushin letra, punojnë të jenë në rregull me letra, dhe realiteti është krejtësisht tjetër.
Këtu qytetari më “aristokrat”, sa del nga shtëpia, sheh në trotuar një grumbull me domate, kastraveca, bidona qumështi etj, dhe fillon e blen aty. A mund të kuptojë gjë nga dietologjia ky tip konsumatori? Unë mendoj që jo!
Në Shqipëri, ka kequshqyerje nga pasiguria ushqimore, por njëkohësisht ka edhe kequshqyerje nga pamjaftueshmëria. Ka me dhjetra familje, fëmijët e të cilave po rriten me mungesa karbohidratesh, proteinash e vitaminash, sepse nuk kanë mundësi ekonomike.
A mund të kuptojë gjë nga dietologjia ky tip tjetër konsumatori? Unë, sërish, mendoj që jo. Media nuk u futet në mënyrë kapilare këtyre problemeve sepse po t’i shkosh pas kësaj shkon kundër interesit të x apo y pushteti.
Pasiguria ushqimore, sa i përket keqpërdorimit të kimikateve, hormoneve, aditivëve të ndryshëm etj, është një aspekt integral i sistemit në këtë vend. Diskutimi apo mbajtja e vëmendjes së publikut larg shkaqeve, analizës së tyre, nuk zgjidh asgjë, sikurse asgjë nuk është zgjidhur në këtë drejtim.
Bujku shqiptar është i varfër, bujku shqiptar nuk bën revolucion për të ndryshuar gjendjen, por përdor metoda jo të duhura për të maksimizuar fitimin, ose më saktë do të thoja “për të nxjerrë dhjamë nga pleshti” për t’u ushqyer, për mbijetesë. Zgjedh më mirë vezën sot sesa pulën mot.
Metoda të tilla janë të gabuara, por a është bujku përgjegjësi kryesor në këtë zinxhir? Jo, sigurisht që jo. Përgjegjësit kryesor janë institucionet tejet të korruptuara dhe të paafta, institucione të cilat janë përgjegjëse specifikisht për sigurinë ushqimore.
Nuk është e vështirë të kapësh abuzime me ushqimin në Shqipëri, nuk ka nevojë as për shumë para për investigim sepse bëhet aq trash abuzimi sa nuk ka nevojë për shumë lodhje.
Sistemi politik i vendit është i korruptuar, shto këtu edhe injorancën, binom i cili po gërryen shoqërinë shqiptare si një kancer. Autoritetet, të cilat kanë detyrë të sigurojnë sigurinë ushqimore për qytetarët, nuk ndihen të kërcënuar fare nga “investigimet” e mediumeve të ndryshme.
Nuk me besoni?
Gjeni një rast ku, pas një investigimi, një autoritet më i lartë përgjegjës është shkarkuar nga detyra dhe ka shkuar para drejtësisë. Drejtësisë së vjetër, dikur, dhe drejtësisë së re, tani. “A”-ja e zgjidhjes së këtij problemi, mjaft të rrezikshëm për popullatën, është depolitizimi me ligj i autoritetit përkatës, rritja e profesionalizmit dhe mbështetja financiare.
Të ketë një formë të ngjashme me ministrinë e brendshme apo të mbrojtjes, kjo kërkon një pakt politik. A mund të ketë një të tillë? Vështirë. Por, e sigurt që me zgjidhje tjetër nuk ke nga ta fillosh.
Një armë shkatërrimi në masë dhe një ushqim i ngarkuar me hormone apo kimikate (i pasigurtë), janë njësoj shkatërruese për një popull. E para vret menjëherë, e dyta vret më ngadalë, por nuk të le të plakesh.
Shkaqet:
Konsumatori është i paditur, fermeri i paditur, autoriteti i paditur dhe i korruptuar deri në palcë, media biznes!
Të gjitha këto janë të destinuara të marrin një zgjidhje duke filluar nga “A”-ja. Ndryshe ne do të vazhdojmë të kemi tjetër siguri ushqimore në televizion, tjetër në autoritete (aku) dhe tjetër në tryezën familjare.