Numri i të vdekurve nga shpërthimi i minierës së qymyrit në një rajon separatist lindor të Ukrainës u rrit në 17 të shtunën, thanë autoritetet rebelë.
Nga shpërthimi i gazit në një minierë në Ukrainë kanë humbur jetën 17 persona. Miniera ku ka ndodhur incidenti gjendet në fshatin Yurivka, që ndodhet në territorin e kontrolluar nga separatistët që mbështeten nga Rusia.
Liderët separatistë që kontrollojnë minierën, thanë se të gjithë trupat e minatorëve të zhdukur janë gjetur.
“Tragjedia mori jetën e 17 minatorëve“, tha në Twitter, Leonid Pasechnik, kreu i republikës së vetëshpallur të Luhansk, që u nda nga Kievi në vitin 2014 dhe drejtohet nga rebelët e mbështetur nga Moska.
Deri dje numri i të vdekurve llogaritej në 13, derisa u bënë publike të dhënat zyrtare.
Pasechnik e quajti shpërthimin në minierën e Skhidkarbonit një “tragjedi të tmerrshme” dhe e deklaroi 29 prillin një ditë zie.
Ministria e situatave emergjente të Rusisë dërgoi ekipin e shpëtimit në territorin separatist pasi kërkoi ndihmë. Punëtorët e shpëtimit nga Qeveria ukrainase nuk kanë pasur qasje zyrtare për të shkuar në këtë minierë.
Agjencia e lajmeve Luhansk, tha se miniera u mbyll në 2014 për shkak të konfliktit midis forcave të Kievit dhe separatistëve të mbështetur nga Rusia, por u rihap në vitin 2018.
Shumica e qymyrit të Ukrainës prodhohet në rajonin e saj lindor, ku lufta e vazhdueshme u ka kushtuar jetët rreth 13,000 personave.