Një ndjekje me shpejtësi e një mjeti tip “Renault” nga policia e Fierit ka përfunduar me arrestimin e dy të rinjve, ndërsa një i tretë ka mundur të arratiset, por është identifikuar dhe shpallur në kërkim.
Dy të rinj janë arrestuar pasi u ndoqën nga policia me makinë në orët e para të mëngjesit. Sipas policisë, makina tip “Renault” po kryente lëvizje të çuditshme dhe kur të rinjtë panë patrullën e policisë janë larguar me shpejtësi. Efektivët e policisë u vunë në ndjekje, derisa arritën t’i ndalonin. Në makinë ishte edhe një i treti i cili i ndihmuar nga errësira ka arritur të arratiset.
Megjithatë ai është identifikuar dhe është shpallur në kërkim nga policia. Në makinë u gjetën një armë zjarri pistoletë me silenciator së bashku me karikator me fishekë, si dhe një dozë me lëndë narkotike cannabis sativa.
Detajet e policisë
Finalizohet operacioni policor i koduar “Silenciatori”.
Policia parandalon një ngjarje të mundshme kriminale. Sekuestrohet në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pistoletë me silenciator dhe 41 doza me lëndë narkotike cannabis sativa.
Arrestohen në flagrancë dy shtetas si dhe shpallet në kërkim një tjetër.
Patrulla e Përgjithshme e Komisariatit të Policisë Fier gjatë patrullimit në orët e para të mëngjesit, në dalje të qytetit Fier, ka konstatuar një automjet Renault që kryente lëvizje të dyshimta dhe porsa ka parë makinën e policisë është larguar me shpejtësi.
Patrulla e Përgjithshme është vënë në ndjekje të automjetit si dhe ka kërkuar ndihmën e shërbimeve të tjera, ku menjëherë në ndihmë të tyre janë nisur forca të tjera policore të DVP Fier.
Gjatë ndjekjes njëri prej pasagjerëve ka mundur të largohet duke përfituar nga errësira ndërsa drejtuesi i mjetit dhe një pasagjer tjetër janë kapur në flagrancë.
Gjatë kontrollit në automjet policia gjeti dhe sekuestroi një armë zjarri pistoletë me silenciator së bashku me karikator me fishekë, si dhe një dozë me lëndë narkotike cannabis sativa.
Policia ka arrestuar në flagrancë shtetasit:
F.K, 22 vjeç, banues në Durrës, drejtuesi i mjetit, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike” dhe “Armbajtje pa leje”.
K.Gj, 22 vjeç, banues në Durrës, për veprën penale “Moskallzim krimi”
Si dhe u bë shpallja në kërkim e shtetasit A.P, 29 vjeç, banues në Durrës, me precedent kriminal të mëparshëm në fushën e krimeve ndaj pronës.
Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit A.P, Policia e Fierit në bashkëpunim me Policinë e Durrësit kanë gjetur 40 doza me lëndë narkotike Cannabis Sativa.
Specialistët për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, po vijojnë punën për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe qëllimit të lëvizjen së këtyre personave të armatosur nga Durrësi në Fier.
Gjithashtu vijon puna për kapjen e personit të shpallur në kërkim, si dhe për identifikimin dhe kapjen edhe të personave të tjetër që mund të jenë të përfshirë në veprimtari të mundshme kriminale.
Materialet i kaluan Prokurorisë pēr veprime të mëtejshme