Një artist italian ka shënuar 500-vjetorin e vdekjes së mjeshtrit të madh, Leonardo da Vinci, duke krijuar me plug dhe traktor portretin e tij në një arë.
EuroNews shkruan se Dario Gambarin përdori një traktor për të ravijëzuar linjat dhe vijat, që më pas formuan një imazh 27 km katrorë të fytyrës së Da Vincit, në fermën e prindërve të tij në Verona të Italisë.
Dario Gambarin, një “artist i tokës”, kaloi plot 8 orë për të realizuar veprën e tij.
Prindërit e tij do ta plugojnë sërish tokën pas disa ditësh, në mënyrë që të bëjnë përpara me të mbjellat që ata do të kultivojnë, por për momentin, imazhi i mjeshtrit të madh italian mund të shijohet nga shumëkush, me kusht që të shihet nga qielli.