Deputeti Gjetan Gjetani, i cili prej disa muajsh është përjashtuar nga grupi parlamentar i PS-së pas kritikave që i bëri Ramës, sulmon për herë të dytë qeverinë e Rilindjes.
Gjetani akuzon kryeministrin Edi Rama dhe ministrat e qeverisë për keqfunksionimin e institucioneve në Kurbin duke numëruar një më një problematikat në këtë bashki. Sipas Gjetanit, punonjësit e bashkisë janë të angazhuar me like-t që duhet t’i bëjnë Ramës në rrjetet sociale, në vend që të kryejnë detyrën e tyre.
“Administrata e Kurbinit “peshqesh” për mercenarët e Rilindjes!
…Ndërsa çdo të mërkurë në një shoë maratonë që transmetohet live në ERTV dhe disa media satelitë pranë ERTV, shqiptarë nga mbarë vendi vijnë të falenderojnë Ramën për problemet që u ka zgjidhur platforma e bashkëqeverisjes, mua çdo ditë me bie telefoni nga qytetarë që administrate në Kurbinin i trajton njësoj siç trajton banka ata klientë me pak të ardhura që duan të marrin një kredi.
Radhët e gjata janë problem më i vogël, pasi në institucione, administrata që paguhet me taksat tona rrin në FB se duhet ti bëje “like” Edi Ramës, ndërkohë që qytetarët presin me muaj të tërë për një përgjigje, jo se kjo përgjigje nuk është në zyrat e këtyre institucioneve, por se militantët e punësuar mbi bazën e kriterit të partisë nuk dinë ta japin shërbimin.
Administrata në Kurbin po gëlon nga militantët e paaftë, teksa ata pak specialistë që kishin mbetur në këtë zonë janë zëvendësuar, pasi koncepti i Rilindjes për shtetin është PPP, e jo shërbimi i devotshëm karshi qytetarëve, teksa Rilindja për pjesën e drejtorllëkut ka menduar dhe nuk e ka lënë vetëm në dorë të militantëve por edhe në dorë të mercenarëve.”, shkruan Gjetani.
Më tej, deputeti shprehet kundër skemës së re të ndihmës sociale, pasi sipas tij shumë familje të varfra kurbinase e humbën përkrahjen sociale që merrnin nga shteti, që ishte e vetmja e ardhur mujore për to. Gjetani denoncon problemet me furnizimin me ujë në Kurbin, makinat e degraduara të Zjarrfikëses, problemet me shëndetësinë, problemet me sigurinë ushqimore, problemet me insfrastrukturën, ndërsa shton se puna për të gjetur skrap në rrënojat e ish uzinës u ka kushtuar jetën shumë skamnorëve Kurbinas.
Në shtator të vitit të kaluar, Gjetan Gjetani u përjashtua nga grupi i PS-së pasi kritikoi hapur forcat e rendit, pas disa ngjarjeve kriminale në Kurbin.