Arrestohet një 27-vjeçar shqiptar i cili ishte në kërkim nga Belgjika, gjatë një operacioni policor të koduar “Adriatiku”.
I riu me inicialet E.K që u arrestua në Kurbin, dyshohet se është pjesë e një bande shqiptarësh që grabisnin banesa në Belgjikë, 8 prej të cilëve janë arrestuar kohë më parë gjatë operacionit ndërkombëtar “Pikaso”. Pesë prej tyre u arrestuan në Belgjikë, ndërsa 3 në Shqipëri.
Ndaj 27-vjeçarit është vendosur në mungesë masa e sigurisë “arrest në burg” nga Gjykata e Krimeve të Rënda për veprat penale të vjedhjes më shumë se njëherë, grup i strukturuar kriminal dhe kryerje e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal.
“Finalizohet operacioni i koduar “Adriatiku”.
Operacion i zhvilluar nga Komisariati i Policisë Kurbin në bashkëpunim me Task Forcën “Anti Skifter” pranë Policisë së Shtetit
Kapet dhe ndalohet një tjetër shtetas i kërkuar për llogari të drejtësisë belge në kuadër të operacionit të përbashkët ndërkombëtar të koduar “Pikaso”, për goditjen e një grupi kriminal në fushën e vjedhjeve të banesave dhe të pronave në Belgjikë e në qytetet e tjera belge, ku si rezultat u arrestuan 8 shtetas shqiptarë, 3 prej tyre në Shqipëri dhe 5 në Belgjikë.
Në vijim të këtij operacioni, Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin në bashkëpunim me Task Forcën “Anti Skifter” pranë Policisë së Shtetit, organizuan operacionin e koduar “Adriatiku”, për kapjen e një pjestari tjetër të organizatës kriminale i shpallur në kërkim nga drejtësia belge.
Në bazë te informacioneve të marra në rruge operative dhe pas një punë të mirë organizuar, u bë i mundur lokalizimi dhe kapja e shtetasit E.K., 27 vjeç, banues në Kurbin, pasi Gjykata e Krimeve të Rënda Tiranë, me vendim të datës 25.04.2019 ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg”, për veprat penale në ngarkim të tij “Vjedhje më shumë së njëherë”, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave kriminale nga grup i strukturuar kriminal”.”, thuhet në njoftimin e policisë.