Policia në Japoni ka nisur hetimet pasi u gjetën dy thika në tavoliën e shkollës së nipit 12-vjeçar të perandorit Akihito.
Thikat u zbuluan të premten në klasën e Princit Hisahito.
Princi Hisahito do të bëhet i dyti në radhë për fronin, pasi Perandori Akihito pritet të tërhiqet nga froni javën e ardhshme.
Policia ka vëzhguar kamerat e sigurimit, ku shihet një burrë që hyn në shkollë. Njeriu i paidentifikuar i kapur në kamerë, i veshur me blu dhe me një përkrenare, u paraqit si punëtor ndërtimi për të hyrë në ndërtesë.
Princi Hisahito dhe shokët e tij të klasës ishin në një pjesë tjetër të shkollës, në momentin kur thikat u lanë në klasë.
Princi ruhet shpesh nga oficerët e policisë, por ata nuk e shoqërojnë atë brenda klasave në shkollë. Sipas “BBC“-së, thikat ishin të lyera me bojë ngjyrë rozë.
Incidenti vjen në një kohë kur Japonia përgatitet për tërheqjen e Perandorit Akihito nga froni, duke i dhënë fund sundimit të tij 30-vjeçar.
85-vjeçari ka vendosur të largohet vullnetarisht nga froni të martën, për shkak të shqetësimeve shëndetësore. Perandori në Japoni nuk mban fuqi politike, por shërben si një simbol kombëtar.