Vendosni fjalën kyçe....

Pas Berlinit nuk duhet të bëjmë militantin


Nga Sonila Meço

Qartazi, nga qëndrimet e Gjermanisë dhe Francës në takimin e Berlinit në raport me Shqipërinë kuptohet se kemi humbur edhe një kartë të rëndësishme në rendjen drejt BE-së, përpos kushteve të paplotësuara.

Mënyrën si jemi pozicionuar për çështje të një rëndësie më të madhe se zhvillimet e brendshme politike. Çështja e kufijve mes Kosovës e Serbisë, për të cilën karshillëku i Tiranës ndaj qëndrimeve të Merkel ka qenë i hapur.

Nëse një vit më parë u festua për një datë të propozuar nga Komisioni Europian, duke patur avantazhin e vendit faktor stabiliteti në Ballkan, pavarësisht situatës së brendshme, sot na duhet një përgjigje e prerë për pyetjen më elementare: Pse e rrezikuam kaq fort hapjen e negociatave? Thënë më troç, pse e gricëm vetë situatën kur e dimë se zgjedhjet për parlamentin europian do t’i bënin edhe më të pazellshme kanceleritë perëndimore?

Dhe sa për kujtesë:
a. Situata në vend nuk është ajo e një viti më parë. Sot jemi pa institucione dhe me reforma të parealizuara.
b. Parlamenti hollandez votoi për kërkesën e parë në histori ndaj Komisionit Europian për rikthimin e vizave me Shqipërinë. 
c. Gjermania nuk e toleron prekjen e kufijve mes Kosovës dhe Serbisë.

Sa dorë kanë në këto 3 zhvillime zgjedhjet për Parlamentin Europian? 
1. Alibitë mënjanë, halli është yni. 
2. Pra nuk qenka kaq e kollajtë t’i pohosh Merkelit: “Le të shohë interesat e vendit të vet, ndërsa unë jam kryeministër i Shqipërisë”.
3. S’ka kuptim për hir të politikës së brendshme të krijojmë debat mes shqiptarësh në sallonet mediatike pas Konferencës së Berlinit për çështjen e Kosovës. Nuk ka realisht kuptim të bëjmë sonte militantin.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *