Policia ka zbardhur detajet lidhur me ngjarjen e djeshme në Laaç, ku u vranë dy kushërinjtë Jushi. Policia thotë se ka identifikuar dhe ka shpallur në kërkim tri autorët e dyshuar.
Fillimisht u tha se ishin shpallur në kërkim dy persona, Markel Gjonbushi 25 vjec dhe Vincens Pali (Bushi). Por policia zbuloi se edhe një person i tretë ishte shpallur në kërkim, një 23-vjeçar me inicialet M.B.
Përplasja me armë ndodhi mbëmjen e kaluar në qytetin e Laçit, ku mbetën të vrarë dy kushërinjtë Mikel Jushi 35 vjeç dhe Jani Jushi 30 vjeç.
Gjithçka ka nisur nga një debat në lokal, ndërsa pas tensionimit të situatës, Mikel dhe Jani Jushi , janë ndjekur nga pas nga autorët. Dy djemtë e xhaxhallarëve janë përpjekur që të fshihen në një rrugicë, por autori i ka arritur dhe i ka qëlluar disa herë.
Pak pas ngjarjes të rinjtë u dërguan me urgjencë drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, pasi gjendja e tyre paraqitej e rëndë. Por ende pa mbërritur në spital ata humbën jetën.
Detajet e policisë
Identifikohen dhe shpallen në kërkim autorët e dyshuar të vrasjes së dy shtetasve, ndodhur mbrëmjen e djeshme.
Në lidhje me ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e djeshme në lagjen nr. 1 Laç, Kurbin, ku pas një konflikti për motive të dobëta u plagosën me armë zjarri dy shtetas të cilët më pas gjetën vdekjen në një nga spitalet private në Tiranë, Policia ngriti një grup të posaçëm hetimor nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin për zbardhjen e kësaj ngjarjeje.
Menjëherë sa është marrë njoftimi, në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë së Kurbinit si dhe grupi hetimor. Në vijim janë ngritur pika kontrolli në të gjitha rrugët që lidhen me qytetin e Laçit si dhe disa pika kontrolli në akset kryesore rrugore, Milot -Lezhë, Milot -Kurbin -Tiranë.
Me mbështetjen e FNSH, janë kryer një sërë kontrollesh në banesa e vende të dyshimta ku mund të ishin fshehur autorët, si dhe janë shoqëruar në Komisariatin e Policisë, 23 persona të cilët u pyetën në lidhje me ngjarjen.
Nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera nga grupi i posaçëm hetimor, rezultoi se ngjarja ka ndodhur për motive të dobëta, pas një konflikti të çastit, dhe se autorët e dyshuar të vrasjes janë shtetasit: M. B., 25 vjeç, M. B., 23 vjeç dhe V. B., 28 vjeç, të tre lindur e banues në Kurbin.
Policia e Kurbinit vijon kontrollet intensive për gjetjen dhe kapjen e autorëve të dyshuar.
Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Pare Kurbin, për veprime te mëtejshme hetimore, për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera të cilësuara, në bashkëpunim” dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve luftarake”, parashikuar nga nenet 79/dh, 25 dhe 278/1 të Kodit Penal.