Vendosni fjalën kyçe....

Pse falimentoi “INSIG’-u i Kosovës? Disa pyetje për drejtor Ervinin


Ervin Koçi, drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i AMF-së

Në një njoftim (jo)surprizë, Banka Qendrore e Kosovës ka publikuar vendimin e Bordit Ekzekutiv të saj,të marrë në takimin e mbajtur me datë 26 prill 2019 për revokim të licencës  së  kompanisë së  sigurimeve së SH.A. “Insig”, Dega në Kosovë.

Për lexuesin kujtojmë që kompania e sigurimeve “Insig” ka qenë e vetmja kompani sigurimesh në Shqipëri për vite të tëra, me kapital shtetëror. Pas disa raundesh privatizimi të pasuksesshëm, kompania mëmë, “Insig” në Shqipëri u privatizua duke u blerë në vitin 2016 nga një tjetër kompani sigurimesh shqiptare, “Eurosig”, proces ky i përfolur si i kryer nën bekimin e kryeministrit Edi Rama.

Ndërkohë, vetëm pas tri vitesh nga privizatimi i “Insig” në Shqipëri, dega e saj e Kosovë, e cila ka funksionuar prej vitit 2002, falimenton. Falimenti i degës së “Insig” në Kosovë sigurisht ka implikime që lidhen me reputacionin e institucioneve financiare shqiptare brenda dhe jashtë vendit.

Publiku me të drejtë shqetësohet dhe ka nevojë të dijë se çfarë rrethanash çuan në këtë falimentim. Prandaj sot ne po u drejtojmë disa pyetje autoriteteve në Shqipëri:

Pyetje për pronarin e “Eurosig” dhe Këshillin Mbikëqyrës të përbërë nga zotërinjtë Vaso Pilo (kryetar), Rexhep Meidani dhe Thanas Xhillari (anëtarë) të shoqërisë “Insig”:

  1. Përse dështuan në përmbushjen e kërkesave ligjore dhe përmirësimin e gjendjes financiare të degës së “Insig”-ut në Kosovë? U kujtojmë që “Insig”-u në Shqipëri është kompania mëmë dhe organet drejtuese të kompanisë kanë përgjegjësi për këtë situatë.
  2. Sa është deficiti i aftësisë paguese për degën në Kosovë dhe çfarë ndikimi ka në gjendjen financiare të të gjiithë kompanisë?
  3. A kanë probleme të tilla të ngjashme në kompanitë e grupit?

Pyetje për Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare, i cili ka përgjegjësinë për mbikëqyrjen e kompanive të sigurimit:

  1. Çfarë ndikimi ka falimenti i “Insig”-ut në Kosovë për shoqërinë “Insig” si një kompani e tërë dhe për tregun shqiptar të sigurimeve?
  2. A ishte ky një vendim surprizë për AMF-në dhe Bordin e saj apo kanë patur informacionet dhe sinjalet e nevojshme nga BQK-ja për këtë situatë?
  3. Nëse kanë patur informacionet e nevojshme çfarë masash e vendimesh kanë marrë për të ndikuar në shëndoshjen e situatës financiare të shoqërisë “Insig”?
  4. A janë kompanitë e tjera të zotëruara nga i njëjti aksioner, pra nga Eurosig, të kapitalizuara sipas ligjit, apo kanë dhe ato vështirësi (do të kemi përsëri “surpriza”)?
  5. Situata që po përjeton “Insig” është e hershme apo u agravua vitet e fundit? A është bërë vlerësim nga bordi i “AMF”-së, sipas kompetencave ligjore që ka, para se të privatizohej “Insig” dhe a kanë qenë në dijeni të vështirësive në Kosovë? A ka patur komunikim me BQK-në para dhe pas privatizimit?
  6. Nëse kompania “Insig” ka qenë degë, a ka përgjegjësi mëma të mbulojë të gjitha humbjet dhe a ka mëma kapital të mjaftueshëm për ta absorbuar këtë humbje? A do të vijojë kompania mëmë (“Insig” në Shqipëri) të ketë aftësia paguese sipas ligjit?
  7. A kanë patur aftësi paguese kompania mëmë dhe pronari i ri para privatizimit dhe çfarë ka ndodhur pas privatizimit?
  8. A mund të konsiderohet i suksesshëm privatizimi i “Insig” dhe çfarë ndikimi ka patur ndryshimi i pronarit në situatën e “Insig”?
  9. A ndjen përgjegjësi Bordi i AMF-së, i përbërë nga Pajtim Melani, kryetar, Enkeleda Shehi anëtare dhe drejtore e Përgjithshme Ekzekutive, Mimoza Kaçi anëtare dhe nëndrejtore, Klodion Shehu dhe Arjan Salati anëtarë, kur në vitin 2016 miratuan kalimin e pronësisë së “Insig” në një shoqëri tjetër sigurimesh për të cilën në mënyrë të vazhdueshme janë marrë vendime administrative (mjafton të numërosh këto vendime në ëebpage të “AMF”, megjithëse mungon transparenca nga ky institucion për të kuptuar natyrën e vendimeve)?
  10. Po Bordi aktuali AMF-së, i përbërë nga Pajtim Melani, kryetar, Ervin Koçi anëtar dhe drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv, Mimoza Kaçi anëtare dhe nëndrejtore, Klodion Shehu dhe Idlir Gjata, anëtarë, a ndjen pëgjegjësi për këtë situatë dhe a besojnë realisht se kanë marrë vendimet me integritetin e duhur në të mirë të sistemit financiar?
  11. Kush do e përballojë këtë faturë, tregu i Kosovës apo ai i Shqipërisë? Çfarë ndodh në këtë rast me stabilitetin e tregut në Shqipëri? A është në gjendje ky treg të përballojë këtë humbje?
  12. A është kjo humbje e izoluar apo shtrihet më gjerë (brenda kompanisë “Insig” dhe te pronarët e saj)?
  13. Po nëse kompanitë e tjera të këtij grupi kanë vështirësi dhe dalin nga tregu, sa është fatura dhe a ka tregu kapacitet ta përballojë? Çfarë plani ka AMF në këtë rast?
  14. A ka ndërtuar “AMF” mekanizma dhe a ka fonde për t’i përballuar, apo do të ndodhë si me fondin e kompensimit, ku “AMF”-ja nuk kujdeset për konsumatorët dhe mund t’i lerë të presin me dekada për t’u dëmshpërblyer?
  15. Aksioneri i kompanisë “Insig” ka një kompani tjetër në Kosovë dhe është i pranishëm edhe në Maqedoni. Sa është kapitali i këtij grupi aktualisht? A ka aftësi paguese? Nëse jo, a ka aftësi tregu ta përballojë këtë situatë?
  16. Si do i mbrojë AMF konsumatorët?

Pyetje për Ministrinë e Financave dhe Komisionin e Ekonomisë dhe Financave, i cili ka qenë pronari kompanisë “Insig”:

  1. A ka patur dijeni Ministria e Financave për situatën e “Insig” në Kosovë, si pronare dhe nëpërmjet përfaqësisë që ka patur në Bordin e “Insig”? Për shembull a kanë patur dijeni z. Ervin Mete, ish-kryetari Këshillit Mbikëqyrës të “Insig”, aktualisht në garë për kryetar Bordi i AMF-së, Engjëll Agaçi, ish-zëvendëskryetar, aktualisht sekretari përgjithshëm në Kryeministri, znj, Anila Denaj, ish-anëtare e këtij Këshilli, aktualisht ministre e financave, Luneda Sufali ish-anëtare dhe aktualisht drejtore në administratën shtetërore, Edlira Luçi sh-anëtare, aktualisht anëtare e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës, apo Spiro Brumbulli, ish-anëtar dhe ish-shef i Kabinetit të Ministrit të Financave?
  1. A ka patur dijeni dhe a ndjen përgjegjësi ish-ministri i Financave nën drejtimin e të cilit u bë privatizimi i “Insig”-ut, z. Arben Ahmetaj? A do të ketë tani në rolin e kryetarit të Komisionit të Ekonomisë dhe Financave në Kuvend forcën dhe pavarësinë e nevojshme për të kërkuar llogari për AMF-në?
  2. A kanë urdhëruar Ministrat e Financave auditime në kompaninë “Insig” kur ajo ka qenë shtetërore dhe çfarë kanë bërë e konkluzionet e këtyre raporteve?

Lista e këtyre pyetjeve mund të zgjatet shumë më tepër, sepse falimentimi i degës së “Insig”-ut në Kosovë i ngjan një kronike të paralajmëruar, me veprime të papërgjegjshme e mosveprime nga pothuaj të gjithë palët vendimmarrëse, që në rrethana të një shteti serioz do të duhej të përbënin objekt pune për prokurorinë.

Në shtetin shqiptar do të ishim të lumtur nëse vendimmarrësit më sipër do të denonjonin të përgjigjeshin qoftë edhe në mënyrë demagogjike. Prandaj këtë radhe vendosëm që t’i bëjmë publike pyetjet, sepse përgjigjet ua dimë me kohë. /Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *