Presidenca zbardh takimin e Ilir Metës me krerët e partive të vogla. Në një njoftim të zyrës së shtypit të Presidencës, thuhet se në këtë takim, Meta shprehu shqetësimin e thellë për krizën serioze kushtetuese, institucionale dhe të përfaqësimit ku ka hyrë vendi.
Kreu i Shtetit theksoi se më herët kishte paralajmëruar domosdoshmërinë e vendosjes urgjente të dialogut për shmangien e përshkallëzimit të konfliktit.
Meta nënvizoi se ka bërë çdo përpjekje për të nxitur zbatimin e reformës në drejtësi brenda afateve dhe parimeve kushtetuese që do të garantonin kontrollin e balancën e sistemit në një shtet funksional të së drejtës. Nëse kjo do të kishte ndodhur, sipas Metës kriza aktuale politike nuk do të kishte marrë këto përmasa.
Në njoftim thuhet gjithashtu se Meta shprehu shqetësiin se mosregjistrimi i të gjitha partive opozitare të legjislaturës së fundit parlamentare rrezikon jo vetëm standardet e zgjedhjeve, por edhe pluralizmin
Në njoftim morën pjesë kryetarët e partive politike të Grupimit të Qendrës së Djathtë, kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, kryetari i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka, kryetari i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule, kryetari i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka.