Dy autorët e dyshuar për vrasjen e dy kushërinjve Mikel dhe Jani Jushi në Laç, janë vetëdorëzuar në polici. Uniformat blu bëjnë me dije se dy të rinjtë, Markel Gjonbushi dhe Vincens Pali, pas bisedimeve me familjarët, kanë vendosur të vetëdorëzohen.
“Në vijim të veprimeve për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur në lagjen nr. 1 Laç, Kurbin, ku pas një konflikti për motive të dobëta u plagosën me armë zjarri dy shtetas të cilët më pas gjetën vdekjen në një nga spitalet private në Tiranë ju informojmë se: Si rezultat i punës hetimore të kryer nga grupi i posaçëm hetimor nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin u bë e mundur identifikimi dhe shpallja në kërkim e autorëve të dyshuar të kësaj ngjarje. Policia në vijim dhe pa ndërprerë ushtroi kontrolle të shumta dhe përdori metodat speciale të hetimit për të bërë të mundur kapjen e autorëve.
Njëkohësisht Grupi i posaçëm hetimor negocioi me familjarët e autorëve të dyshuar që ata të dorëzoheshin organeve të drejtësisë. Dy nga autorët e dyshuar, shtetasit M. B., 25 vjeç dhe V. B., 28 vjeç, të dy lindur e banues në Kurbin, pas negociatave me familjarët, janë vetë dorëzuar në Polici. Grupi i posaçëm hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po vijon punën për dokumentin e plotë të kësaj ngjarje. Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Pare Kurbin, për veprime te mëtejshme hetimore, për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera të cilësuara, në bashkëpunim” dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve luftarake”, parashikuar nga nenet 79/dh, 25 dhe 278/1 të Kodit Penal.”, thuhet në njoftimin e policisë.
Përplasja me armë ndodhi dy netë më parë në qytetin e Laçit, ku mbetën të vrarë dy kushërinjtë Mikel Jushi, 35 vjeç dhe Jani Jushi, 30 vjeç.
Gjithçka ka nisur nga një debat në lokal, ndërsa pas tensionimit të situatës, Mikel dhe Jani Jushi , janë ndjekur nga pas nga autorët. Dy djemtë e xhaxhallarëve janë përpjekur që të fshihen në një rrugicë, por autori i ka arritur dhe i ka qëlluar disa herë.
Pak pas ngjarjes të rinjtë u dërguan me urgjencë drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, pasi gjendja e tyre paraqitej e rëndë. Por ende pa mbërritur në spital ata humbën jetën. Ditën e djeshme, policia shpalli në kërkim tre të rinj, Markel Gjonbushi 25 vjeç,Vincens Pali (Bushi) si dhe një 23-vjeçar me inicialet M.B./Hashtag.al