Vendosni fjalën kyçe....

Kush është Edita Tahiri, që vuri me “shpatulla pas muri” Ramën e Thaçin për ndarjen e Kosovës


Edita Tahiri është një nga politikanet me më shumë përvoje dhe të rëndësishme në Kosovë, që ka qenë gjatë gjithë kohës kundër idesë për shkëmbim territoresh mes Serbisë dhe Kosovës.

Kjo ide ka dalë në dritë prej disa kohësh dhe ka gjetur mbështetjen jo vetëm të disa prej zyrtarëve të lartë në Bashkimin Europian por edhe të presidentit të Kosovës, Thaçi dhe kryeministrit të Shquipërisë, Rama.

Madje Tahiri e ka akuzuar këtë të fundit si një nga ideatorët kryesorë të idesë së shkëmbimit të territoreve mes dy vendeve, gjë që sipas atyre që e mbështesin këtë gjë do çojë në arritjen e marrëveshjes mes Beogradit dhe Prishtinës.

Tahiri është shprehur vijimësisht kundër dhe këtë gjë e ka bërë në mënyrë të prerë dhe publike. Në dhjetor të vitit të shkuar, Tahiri shprehej për media këndej e andej kufirit se Rama ka qenë në dijeni të idesë për shkëmbim territoresh që në vitin 2016 por nuk e kishte kundërshtuar atë.

“Z. Rama kur ka qenë në Serbi në tetor 2016 në një vizitë dy-ditore, është njohur me idenë e shkëmbimit të territoreve dhe ai në vend se ta kundërshtonte këtë gjë, e solli në Prishtinë te presidenti Thaçi.” – ka thënë Tahiri në shkurt të këtij viti, duke vlerësuar qëndrimin e presidentit të Shqipërisë, Meta kundër ndryshimit të kufijve.

Në deklarata të ndryshme që prej fillimit të vitit 2018, kohë kur edhe doli në skenë ideja e shkëmbimit të territoreve mes dy vendeve, Tahiri, e ka hedhur poshtë në të gjitha rastet realizimin e kësaj ideje, që sipas saj do ishte e dëmshme jo vetëm për Shqipërinë e Kosovën por për mbarë rajonin.

Edita Tahiri pati një debat të ashpër edhe mbrëmjen e djeshme e gazetarë e komentatorë politikë në emisionin Open të Eni Vasilit. Ajo i kritikoi ashpër qëndrimet e tyre ndërsa theksoi se samiti i Berlinit varrosi njëherë e mirë idenë e treshes Vuçic-Rama-Thaçi për ndarjen e Kosovës.

Tahiri është një nga politikanet më në zë të Kosovës dhe ka mbajtur poste të rëndësishme. Ajo njihet si kryenegociatorja e dialogut mes Serbisë dhe Kosovës.

Ajo ka qenë një nga themelueset e lëvisjes për pavarësinë e Kosovës. Ka mbajtur postet e zv.kryeministres së Kosovës, ministres së Jashtme, ministres së Administratës Publike dhe ministres për Dialogun si dhe deputete në disa legjislatura të Kuvendit të Kosovës, ndërsa ka një jetë aktive në politikën e Kosovës prej më shumë se 25 vjetësh.

Tahiri theksoi mbrëmë se samiti i Berlinit i dha fund njëherë e mirë gabimeve historike të Thaçit e Ramës. /Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *